E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH-ja: Pacientët në Poliçan, të prekur nga gastro-enteriti

Pacientët e Poliçanit nuk janë prekur nga dizenteria klasike, por nga gastro-enteriti i rëndë. Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, tha se “nga hetimi epidemiologjik dhe analizat e kryera rezulton se pacientët nga Poliçani nuk janë prekur nga një dizenteri klasike, por nga një pastro-enterit i rëndë”. Ndër të tjera, drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë tha se banorët e Poliçanit nuk duhet të përdorin ujin që rrjedh në çezma. Kjo masë do të zgjasë deri në një vendim të dytë. Analizat e kryera pas gjendjes së krijuar në qytetin e Poliçanit në Qarkun e Beratit, ku më shumë se 78 qytetarë përfunduan me probleme në spital, tregojnë se ata janë prekur nga një gastro-enterit i rëndë, i cili është shkaktuar nga uji i pijshëm. Nisur nga analizat mikrobiologjike, mbi bazë të mostrave të marra nga pacientët, drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja tha se “si nga specialistët e ISHP-së, ashtu dhe ata të spitalit të Beratit, u identifikua prania e Shigella Flexner Tp 3 në 80 për qind të mostrave, dëshmi e qartë e agjentit shkaktar”. Bejtja sqaroi se nga hetimi epidemiologjik rezulton se mundësitë më të mëdha janë për një shpërthim të shigelozës me natyrë hidrike, ku vektor ka qenë ujësjellësi i Poliçanit. Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, bëri me dije se gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar trajtim mjekësor 2 pacientë nga Poliçani të cilët kishin simptoma të gastro-enteritit, ndërsa në spitalin e Beratit u shtruan 2 të tjerë, të moshuar, me probleme jo të natyrës infektive, por të rënduar nga gastro-enteriti.

Masat

Duke u ndalur tek masat e marra, drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja tha se është punuar ngushtësisht me ISHP-në dhe autoritetet shëndetësore lokale, qoftë të Skraparit, apo të Beratit, si dhe është mbajtur lidhje e ngushtë me pushtetin vendor të Poliçanit. Bëhet me dije se personeli i laboratorit të Beratit është vënë në dispozicion të banorëve të Poliçanit, ndërkohë që ekipi i ISHP-së dhe MSH-ja është vazhdimisht në terren. Ndërkohë, është rritur numri i monitorimeve, çdo ditë në 6 pika të ujësjellësit, si dhe është bashkëpunuar me mediat lokale për të dhënë këshilla sanitare për publikun. Mësohet se pas bllokimit të ujësjellësit për 12 orë, të enjten dhe të premten, tashmë është rekomanduar të mos konsumohet uji i pijshëm deri në një vendim të dytë. Ndërkohë, është rritur niveli i klorit në norma emergjencash.

Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, tha se “janë këshilluar të gjithë banorët, që kanë shenja të sëmundjes, që të kërkojnë ndihmë mjekësore, ndërsa të gjithë pacientëve të regjistruar u është kërkuar që të paraqiten herë pas here në qendrën shëndetësore për të marrë mjekimin e përshtatshëm me antibiotikë”. Bëhet me dije se për të kontrolluar mbartësit e mundshëm është duke u monitoruar situata në mënyrë intensive nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik dhe Drejtoria e Shëndetit Publik Berat. Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, tha se “besojmë se falë këtyre masave, shpërthimi epidemik është vënë nën kontroll dhe rastet e reja, të pakta në numër, janë pasojë e infektimit të para 3-5 ditëve. Në ndonjë rast pacienti është infektuar nga kontakti i ngushtë me familjen".

Ngjarja

Para pak ditësh, fëmijë e të rritur u shtruan në masë në spitalin e Skraparit. Personat shfaqën simptoma akute të një infeksioni epidemik. Epidemia masive vuri në alarm strukturat përkatëse, të cilat evidentuan se mikrobi mund të kishte ardhur nga uji. Rreth 70 persona të të dyja gjinive dhe të grupmoshave të ndryshme mësohet se janë shtruar në spital në gjendje të fikëti dhe me diarre. Në ndihmë të pacientëve kanë shkuar edhe mjekët e spitalit të Beratit, të cilët u kanë ardhur në ndihmë të infektuarve. Bëhet me dije se vetëm pak ditë më parë se të përhapej kjo epidemi në Poliçan, i njëjti problem u konstatua edhe në Urën Vajgurore, dhe pas analizave e kontrolleve të ndryshme që iu bënë ujit, dëshmuan se faji ishte i ujit që konsumonin banorët. Pra uji ishte tërësisht jashtë parametrave të lejuara dhe për më tepër i ndotur me fekale. Pas kësaj, u mor vendimi për mbylljen e ujësjellësit që bënte furnizimin me ujë të Urës Vajgurore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›