Rregullorja e re e maturës, më shumë lëndë me zgjedhje
Javën që vjen, të gjithë maturantët e këtij brezi do të kenë mundësi të njihen me ndryshimet që ka pësuar rregullorja e re e Maturës Shtetërore 2009. Ky është dokumenti që udhëzon të gjithë mbarëvajtjen e këtij procesi kaq të rëndësishëm për të ardhmen e mbi 20 mijë të rinjve të këtij viti, që duan të vazhdojnë studimet e larta. Mes ndryshimeve në rregulloren e re të Maturës Shtetërore mësohet se çdo maturanti do t‘i jepet e drejta që për provimet e lëndëve me zgjedhje të ketë mundësi të selektojë më shumë variacion se sa vitin e kaluar. Numri i lëndëve me zgjedhje ishte i kufizuar në nëntë prej tyre. Këto lëndë ishin të përcaktuara nga Ministria e Arsimit. Një tjetër ndryshim i pritshëm në këtë rregullore të re është edhe vlera që do të ketë mesatarja në procesin e llogaritjes së pikëve. Kjo konsiderohet edhe si një nga pritshmëritë më të mëdha të të rinjve, që pas përfundimit të katër provimeve të Maturës Shtetërore do të konkurrojnë për degë të ndryshme në universitetet publike shqiptare. Ndryshimet që ka pësuar rregullorja e Maturës Shtetërore krahasuar me një vit më parë i konfirmon vetë drejtori i Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve (AVA), Edmond Lulja. "Hartimi i rregullores së re të Maturës Shtetërore për maturantët e sivjetshëm ka përfunduar dhe pritet që të firmoset nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, gjatë javës së ardhshme", shprehet drejtuesi i AVA-s, një nga institucionet më të rëndësishme që është ngritur posaçërisht për të menaxhuar procesin e Maturës Shtetërore. Drejtori i kësaj agjencie, Lulja, pohoi se rregullorja e Maturës Shtetërore ka pësuar disa ndryshime krahasuar me një vit më parë, duke e bërë procesin më komod për maturantët. Sipas Luljas, kjo rregullore parashikon të gjitha procedurat që duhet të ndiqen nga maturantët dhe afatet e përgatitjes së udhëzuesit të formularit A1, ku paraqiten të dhënat e kandidatit për student dhe kërkesa e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje. "Shtimi i lëndëve me zgjedhje do të jetë një nga risitë e rregullores së re", shton më tej kreu i AVA-s. Rregullorja ose dokumenti orientues i Maturës Shtetërore, e vlefshme për këtë vit shkollor, detajon të gjitha të drejtat dhe detyrimet e maturantëve, procedurat që duhet të ndjekin administratorët e provimeve dhe sanksionet ndaj maturantëve, nëse abuzojnë në testim. Kufizimet do të vazhdojnë të jenë të rrepta njëlloj si edhe një vit më parë. Kështu, gjatë zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore, nuk do të lejohet mbajtja e telefonit celular nga ana e nxënësve për të eliminuar çdo mundësi kopjimi që mundësohet nga zhvillimi i teknologjisë. Gjithashtu, është i ndaluar edhe ndërrimi i vendeve të përcaktuara nga administratori, komunikimi, largimi nga mjedisi i provimit pa realizimin e procesit të sekretimit. Rregullorja specifikon faktin se zbatimi i këtyre rregullave mbikëqyret nga administratorët e provimeve, të cilët mund të penalizohen pas çdo problematike që krijohet në sallat e menaxhuara prej tyre. Matura Shtetërore hyri në konceptin e ri që ka sot, plot katër vjet më parë, si pjesë e reformës arsimore të ndërmarrë nga ish-ministri i Arsimit, Genc Pollo. Qëllimi kryesor i saj ishte shmangia e abuzimeve me përzgjedhjen e të rinjve në degë të ndryshme të universiteteve. Por njëkohësisht edhe zgjedhja e degëve sipas preferencave të vetë të rinjve. Ndaj ajo mori edhe emrin sistemi Meritë-Preferencë.