Epilepsia prek 3.5% të fëmijëve
Rreth 3.5% e sëmundjeve që prekin fëmijët janë të natyrës epileptike. Një shifër e tillë u konfirmua gjatë Konferencës VI të Shoqatës Neuropediatrike Shqiptare. Këto raste janë në të njëjtën incidencë, sikurse në vende e tjera të botës, tha dr. Valentina Tashko, kryetarja e Shoqatës Neuropediatrike Shqiptare. Sipas saj, më të shpeshta janë konvulsionet nga temperatura, por dhe forma të tjera të epilepsive. "Këto sëmundje janë shumë të rënda, janë refraktare, nuk përgjigjen ndaj mjekimeve me antiepileptikë dhe janë invalidizuese", tha dr. Tashko. Sipas saj, ato mund të shkaktojnë prapambetje të intelektit, të sferës njohëse, por dhe të tjera që janë mjaft të vështira, si për ta, për familjen dhe mjedisin ku jetojnë. Epilepsia ka disa forma të shfaqjes së saj, por disa prej tyre për faktin se janë të rralla dhe të rrezikshme, konsiderohen prej mjekëve të një rëndësie të veçantë. Format e ndryshme të epilepsisë kanë qenë edhe objekt i Konferencës VI të Shoqatës së Neuropediatrisë Shqiptare. Personat që preken nga kjo sëmundje trajtohen si nga ana mjekësore me antiepileptikë, por dhe nga ana sociale dhe të intelektit, me trajtime nëpër qendrat e shumta, apo dhe riaftësim fizik mendor. "Deri tani nuk ka një studim të mirëfilltë, por incidenca është rreth 3% për ata që trajtohen ambulatorisht, duke ardhur herë pas here dhe në spital të paktën një herë në 6 muaj sipas formave, dhe në raste të veçanta edhe me shtrime në spital", tha dr. Tashko.