E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJE MINUTE HESHTJE, ZONJA TOPALLI!

Natyrisht ti, zonja Topalli, nuk ke asnjë faj pse një bashkëqytetar i yti 15-vjeçar vdiq në mënyrën më makabre. Ai u mbyt pasi iu shkarkua mbi trupin e njomë një makinë me mbeturina dhe i zuri frymën në vendin ku shkarkohen plehrat e Shkodrës, në sy të së motrës qyqare që e pa të vëllanë të mbulohej nga mali me mbeturina dhe nuk mundi ta shpëtonte dot. Jo, ti, zonja Topalli, nuk ke asnjë faj. Unë nuk e di ku mund të kesh qenë në atë çast, por besoj se duhet të të kenë lajmëruar se një vocërrak që mblidhte kanoçe në vendin e grumbullimit të plehrave në Shkodër, vdiq në mënyrën më çnjerëzore, pasi makina e plehrave nuk e pa dhe e shkarkoi ngarkesën e radhës mbi trupin e tij. Nuk e di a të kanë thënë se bashkë me të ishte dhe e motra, sepse që të dy mblidhnin kanoçe për të ndihmuar familjen, zonja Topalli. Po, natyrisht, ti nuk ke asnjë faj pse ai vdiq në atë mënyrë. Mua m‘u kujtua një poezi e Visar Zhitit për plehrat, në të cilën ai, i entuziazmuar nga shoqëria e konsumit, poetizonte edhe plehrat si dëshmi se Shqipëria tani prodhon edhe plehra, pra konsumon dhe nuk është si më parë. Tani Visari është në Itali, sepse sa herë që ju vini në pushtet, zonja Topalli, Visari ikën në Itali. Atje natyrisht poetizimi i plehrave nuk është edhe aq në modë, sidomos me atë që ndodhi në Milano dhe me atë që po ndodh në Palermo. Po kjo është një tjetër histori. Nuk e di pse m‘u kujtua kjo poezi e Visarit atë ditë që pashë në televizor skenën kur policët dhe një ambulancë po nxirrnin trupin e pajetë të vogëlushit nga Shkodra, që e kishin mbuluar plehrat dhe i kishin zënë frymën. Pra ai vdiq, zonja Topalli, dhe natyrisht ju nuk kini asnjë faj për vdekjen e tij. Ai iku nga kjo botë pa e parë rrugën e famshme Rrëshen-Kalimash, që ju e mburrni nëpër fjalimet tuaja. Ai iku nga kjo botë pa pasur mundësi që të vinte një ditë në Tiranë dhe të shihte ekspozitën që kini hapur ju para Kryesisë së Kuvendit me fotografitë e rrugës. Ai iku pa e marrë vesh se ajo rrugë, siç e kini thënë ju, do të quhet rruga "Sali Berisha". Unë nuk e di nëse ai e kishte marrë vesh që ne jemi anëtarësuar edhe në NATO, falë jush dhe Sali Berishës. Këtë nuk e di, sepse ai vdiq zonja Topalli, i mbuluar nga një makinë me plehra, vdiq duke mbledhur kanoçe në vendin e depozitimit të plehrave në Shkodër dhe ju natyrisht nuk kini asnjë faj, zonja Topalli. Ai vdiq në mënyrën më çnjerëzore të mundshme dhe ne të gjithë duhet të ndjehemi të rrezikuar se një mal me plehra mund të na vërvitet mbi trup dhe mund të na e zërë frymën të gjithëve. Vdekja e atij vocërraku në "vendin e punës" ka një domethënie tragjike. Të gjithë duhet të kujtojmë skenat nga India, nga Brazili apo nga Tailanda që tregojnë fëmijë të paushqyer që e sigurojnë jetën duke mbledhur mbeturinat, për t‘i shitur mandej që të fitojnë bukën e gojës dhe makina plehrash që venë e vijnë dhe shumë korba e sorra që u vërtiten atyre mbi kokë, sepse, ai është vendi i ushqimit të tyre. Për fat të keq, ky realitet ka mbërritur edhe në Shqipëri, dhe për fatin tonë të zi ky realitet shënoi edhe viktimën e radhës. Kohë më parë, po t‘ju kujtohet, një gropë me dhé zuri brenda një fëmijë tjetër që po mblidhte skrap. Edhe ai vdiq "në vendin e punës". Edhe ai vdiq duke mbledhur mbeturina. Sot, për shumë arsye po ndiqja në internet një ekspozitë fotografike të një fotografi të famshëm, që kishte fotografuar Amerikën e viteve ‘30. Mjerim, varfëri. Mirëpo Presidenti i atëhershëm amerikan pati meritën se nuk e fshehu krizën. Përkundrazi, ai iu drejtua amerikanëve dhe i ftoi të gjithë që ta mundin atë. Ndërsa ju, zonja Topalli, dhe qeveria juaj, doni ta fshihni krizën dhe kërkoni që të na mbushni mendjen se ju po na e bëni jetën të begatë. Jo zonja Topalli, nuk është ashtu. Natyrisht ti nuk ke faj pse vdiq në atë mënyrë bashkëpatrioti yt, por ti, për një çast, duhet ta ndalësh fushatën dhe duhet ta ulësh zërin, për një çast ti duhet të heshtësh zonja Topalli, sepse një bashkëpatrioti yt 15-vjeçar vdiq në mënyrën më makabre. Atë e mbytën plehrat. Megjithëse ti nuk ke asnjë faj për vdekjen e tij, ti duhet të heshtësh për disa ditë zonja Topalli. Dhe një gjë të fundit, unë nuk e di, por vogëlushi që vdiq, nuk ishte nga ata që i merrni ju dhe i nxirrni nëpër mitingjet tuaja, apo ia vini si dekor Sali Berishës. Jam i sigurt se ai vogëlush nuk e dinte se vendi po bën zgjedhje, ai duhej të punonte bashkë me të motrën, ai duhej të përzgjidhte plehrat e asaj shoqërisë së konsumit që poetizon Visari, për t‘i rishitur pastaj që të fitonte bukën e gojës, si për të na kujtuar të gjithëve se në Shqipëri ekziston shoqëria e konsumit, por është shtuar shumë edhe shoqëria tragjike e kursimit, shoqëria që vuan për bukën e gojës, në emër të së cilës vdiq në mënyrën më çnjerëzore vogëlushi nga Shkodra. Ndaj ti duhet të heshtësh zonja Topalli, megjithëse ti nuk ke asnjë faj për vdekjen e atij vogëlushi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›