E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJë JETë NëN NGJYRAT E FLAMURIT KOMBëTAR

Shumë interesante dhe e mbushur
me ngjarje tërheqëse është biogra
fia e patriotit të shquar e të lënë në
harresë, njërit prej veteranëve të mëdhenj
të lëvizjeve kombëtare me qëllim
çlirimin e Shqipërisë nga thundra otomane.
Figura e një patrioti konseguent,
siç është Mina Ilo Grameno, është trajtuar
pothuaj aspak në shënimet e studiuesve
dhe historiografëve tanë. Janë
të pakta shënimet apo botimet që shërbejnë
në njohjen e plotë të Gramenos.
Një falënderim i veçantë vjen këtu për
pasardhësit e patriotit, z. Dhimitër Koço
Grameno dhe znj. Donika Grameno
(Miloshi) për mirësinë që patën për të
na vënë në dispozicion kujtimet dhe ato
pak dokumente që ruanin rreth jetës së
veteranit Grameno.
I lindur në vitin 1884, në një familje ku
fara e shqiptarizmit ka qenë mbjellë sa e
sa breza më parë, Gramenoja, vëllai i
gjashtë i Dhimitrit, Mihalit, Anastasit,
Spiros, Petros e Koços, bashkë me këtë
të fundit, u regjistrua në shkollën e parë
shqipe të Korçës, e njohur ndryshe si
Mësonjëtorja e Parë Shqipe. Pasi mori
aty mësimet e para, i riu Mina emigroi
në Rumani te vëllai i mëmës së vet, me
qëllim që të plotësonte arsimin e tij. Aty
Mina Grameno, nën kujdesin e dajos së
vet, patriotit të shquar Visarion Dodani,
u vu në kontakt menjëherë me lëvizjet
patriotike dhe përpjekjet që shqiptarët
e atjeshëm kryenin me qëllim organizimin
e tyre në shoqëri. Kjo veprimtari
nuk ishte e panjohur për Gramenon,
pasi ai ishte edukuar me këtë frymë në
familje dhe në shkollën e Korçës. Kështu
që ai filloi të japë kontributin e tij dhe
t‘i përkushtohet kauzës kombëtare.
Në vitin 1904, ishte një nga bashkëthemeluesit
e shoqërive patriotike
"Vëllazëria" (shkroi edhe kanunoren e
saj) dhe "Pellazgët". Por, për shkak të
propagandës së huaj, këto shoqëri
patën jetë të shkurtër.
Nga Rumania, bashkë me vëllezërit
Anastas e Petro, emigron në Amerikë në
fillim të shekullit XX, rreth vitit 1904. Aty
ndjek mësimet e mesme në gjuhën angleze.
Studimet e larta nuk pati mundësi
t‘i ndjekë dhe kështu autodidakti i ri
nuk la bibliotekë pa shfrytëzuar për të
pasuruar dijet e tij. Pak vite më vonë, në
këtë qytet, do të shkonte edhe vëllai më
i vogël i Gramenove, Koçoja. Të katër
vëllezërit Grameno vendosen në qytetin
Jamestown, ku punojnë fillimisht në
një fabrikë vidhash. Ky qytet do të
mbahet mend në analet e historisë së
përlindjes së kombit shqiptar, sepse aty,
në janar 1906, u themelua e para shoqëri
e shqiptarëve të Amerikës, e quajtur
"Malli i Mëmëdheut". Një nga iniciatorët
e kësaj nisme sa patriotike aq edhe
fisnike, bashkë me Petro Nini Luarasin,
Llambi e Mihallaq Bimblin, ishte edhe
Mina Grameno, me vëllain e tij Koço.
Këta pionierë të lëvizjes patriotike në
Amerikë mund t‘i dallojmë në një fotografi
të fiksuar në celuloid në ditët e
para të vitit 1906. Gjatë kësaj kohe, shërben
si korrespondent në gazetën "Kombi"
të Sotir Pecit. Shkrimet e tij i nënshkruan
me pseudonimet AJY dhe NOMEGRA
(anagram i mbiemrit të tij).
Viti 1907. Në muajin mars u formua
çeta kombëtare e Bajo e Çerçiz Topullit.
Pjesë e këtij formacioni ishte dhe qëndroi
i pandarë edhe Mihali. Të entuziazmuar
nga ky veprim i vëllait të tyre, Mina
Grameno bashkë me Anastasin, Petron
e Koçon, shprehën dëshirën që të ktheheshin
në atdhe e të "merrnin anë në
luftën me pushkë" kundër pushtuesve.
Por anëtarët e shoqërisë e kundërshtuan
këtë kërkesë të tyren, pasi e vlerësuan
më me interes të lëvizjes qëndrimin
e tyre në Amerikë. Më në fund, në vitin
1911, ata kthehen në atdhe dhe vazhdojnë
veprimtarinë patriotike së bashku
me Mihalin.
Në ushtrinë kombëtare, të organizuar
pas shpalljes së pavarësisë, Mina Gramenon
e shohim të japë kontributin e tij
si ushtarak i zoti. Për këtë, ai mori edhe
gradën e kapitenit të
ushtrisë shqiptare. Në
përgatitjen e tij ushtarake
(teorike) ndihmoi
mjaft edhe koloneli amerikan
Spencer, i cili për pak
kohë banoi në shtëpinë e
Gramenove në Korçë. I veshur
me kostum kombëtar,
më 24 prill 1914,
merr pjesë në luftën e Nikolicës,
së bashku me Gani
Butkën, kundër hordhive
greke. Gjatë kryengritjes së
organizuar nga andartët
grekë në Korçë në prill 1914,
Mina Grameno është nga të
parët që rrëmben pushkën
dhe vendoset në ballë të
vullnetarëve Vasil Trebica e
Riza Velçishti, të therur makabrisht
në çezmat e arrave
(sot kopshti i Themistokli
Gërmenjit në Korçë). Kur Korça
u pushtua prej grekomanëve
e andartëve dhe në
një kohë kur në Shqipërinë e
Mesme plasi kryengritja e fshatarësisë
me në krye anadollakun
Haxhi Qamili, i detyruar
nga këto rrethana, Mina
Grameno, bashkë me familjen,
mori rrugën e mërgimit dhe u
vendos përsëri në Amerikë.
Aty, gjatë viteve 1915-1919,
punoi si redaktor i gazetës kombëtare
"Koha", të themeluar
nga i vëllai, Mihal Grameno. E
shohim gjatë kësaj kohe Mina
Gramenon si konferencier dhe
agjitator ndër shqiptarët e mërguar
në Amerikë, te të cilët propagandoi
bashkimin dhe luftën që duhet
të bënin ata për të mirën e shtetit
shqiptar, i cili në atë kohë
kërcënohej seriozisht prej pretendimeve
territoriale të teorive
vorio-epiriste apo të
kënaqjes së oreksit serbomadh.
Në këto vite, Gramenoja
zgjidhet kryetar i degës së
federatës "Vatra" në qytetin e
Jamestown-it, por u shkëput
prej saj nga divergjencat që
pati në atë kohë Mihal Gramenoja
me Fan Nolin. Disa
vite më vonë, ai u vendos në
Detroit, ku filloi të jetë kryetar
i degës së atjeshme të
"Vatrës".
Lufta e Vlorës dhe Kongresi
i Lushnjës, këto dy ngjarje
të rëndësishme të jetës
politike dhe kombëtare, e
thirrën këtë patriot në atdhe.
Kështu ai në vitin 1921,
bashkë me nënën Lina dhe
vëllezërit kthehet në Korçë.
Në një kronikë të gazetës
"Dielli", më 5 janar 1922,
në pjesën "Lajme nga Shqipëria",
pasi përmendet
emri i Mina Gramenos
dhe Foqion Postolit, lexojmë:
"Zotërinjtë me gëzim
të madh vrapuan në
thirrjen e atdheut, duke
shërbyer darovisht si
mësonjës në shkollat kombëtare
gjersa arsimi të
emërojë titullarët".
Në prill të vitit 1923,
Gramenoja shkon për
herë të katërt në Amerikë,
ku në një takim që pati me miqtë e tij, siç
na informon gazeta "Shqiptari i
Amerikës" (Korçë, 14 prill 1923), ai thotë:
"Dy herë më përzuri Turqija prej vendit
tim, një herë më dboi greku me rebellat;
kët rradhë më bduan akraballëku ose
mungesa e akraballëkut". Patrioti i
shquar u kthye përfundimisht në atdhe
në vitin 1927. Deri në vitin 1932 punoi
privatisht. Në fillim të vitit 1933, emërohet
nënprefekt në Konispol. Më vonë
transferohet në Lezhë. Nga viti 1937
vendoset si zëvendësprefekt në Librazhd,
detyrë që e mban deri në pushtimin
e Shqipërisë nga Italia fashiste, në
prill 1939. Kjo ngjarje i solli veteranit
Mina Grameno një tronditje të fortë nervore,
e cila iu kthye në shqetësim për
shëndetin. Për t‘u kuruar, merr mjekime
në spitale greke dhe italiane, por nuk i
bën dot ballë fatit të tij të keq dhe më 4
janar 1942 ai vdiq në qytetin e Korçës,
duke marrë me vete brengën e pafund
të pushtimit të Shqipërisë nga fashistët.
Nuk e duroi dot patrioti i madh vendosjen
e shpatave të Liktorit në flamurin
kuqezi, për integritetin e të cilit luftoi
gjithë jetën bashkë me vëllezërit dhe
familjen e tij.
Në vitin 1937, Mina Grameno përmblodhi
shumë nga shkrimet e tij (novela
dhe disa vjersha) në një botim të dalë
nga shtypshkronja e Arhimidhi
Vangjelit, të titulluar "Unaz‘ e
Trashëgimit si dhe Novela e Vjersha të
tjera". Vepra është e vetmja përmbledhje
e botuar në gjallje të Gramenos
dhe e vetmja e botuar deri më sot me
krijimtarinë e tij.
Me rastin e 80-vjetorit të pavarësisë,
u dekorua me urdhrin "Për veprimtari
patriotike" klasi III, me këtë motivacion:
"Patriot e veprimtar i shquar për lirinë,
përparimin dhe mbrojtjen e pavarësisë
së Atdheut".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›