E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëdhëniet Serbi-Kroaci s‘kanë qenë kurrë më të këqija

Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë ndodhen në nivelin më të ulët, qysh nga koha e luftës mes të dy vendeve, ndërsa këtë nivel e ruajnë ose e keqësojnë edhe me shume deklaratat e herëpashershme të shtetarëve, qeveritarëve dhe politikanëve të lartë serbë dhe kroatë, që nuk kanë munguar as ditët e fundit. Fillimisht, Presidenti i Kroacisë, Shtipe Mesiç, vuri në dukje, këto ditë, se marrëdhëniet mes të dy vendeve janë të amullta dhe se para kësaj gjendjeje të tyre nuk duhet të mbyllen sytë. Ai theksoi se marrëdhëniet mes Zagrebit dhe Beogradit kanë formën e "kontakteve rutinore", kurse bisedime për marrëdhëniet e ndërsjella dhe gjendjen në rajon, ka kohë, që pothuajse nuk zhvillohen. Deklaratës së Presidentit kroat iu përgjigj ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, sipas të cilit marrëdhëniet mes të dy vendeve, me të vërtetë, janë të këqija dhe se fajtore për këtë janë autoritetet e larta kroate.

"Eshtë Kroacia, ajo që ngriti padi kundër Serbisë për gjenocid, ndërkohë që prona dhe kapitali serb në Kroaci nuk trajtohen ashtu sikurse duhet. Kroacia njohu pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme nga Kosova dhe në forumet e ndërkombëtare dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e ngre më shumë zërin sesa të tjerët në favor të pavarësisë së Kosovës", deklaroi Jeremiç, duke theksuar se Serbia, nga ana e saj, ka treguar një vullnet të mirë, duke kthyer ambasadorin e saj në Zagreb, ndërsa Kroacia nuk ka treguar, deri tani, asnjë shenjë të këtij vullneti.

Benzinë zjarrit i hedhin, sidomos, partitë nacionaliste serbe që jo vetëm nuk shohin në perspektivë ndonjë përmirësim të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve që, dikur, ishin pjesë përbërëse të ish-Jugosllavisë, por me deklaratat që bëjnë, herë pas here, krerët e këtyre partive, kontribuojnë për keqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të ndërsjella. Aleksandar Vuçiç, zv.kryetar i Partisë Progresive Serbe (Srpska Napredna Stranka, SNS), e porsakrijuar mbas shkëputjes nga Partia Radikale Serbe (Srpska Radikalna Stranka, SRS) e Vojisllav Seshelit, vuri në dukje, ditët e fundit, se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë nuk është nevoja të ndërtohen mbi parimet e bashkim-vëllazërimit e dashurisë së ndërsjellë, por vetëm mbi bazën e asaj se çfarë qëndrimi mbahet ndaj serbëve në Kroaci. "Që ne ta duam akoma njeri-tjetrin, sidomos, mbas operacioneve ushtarake kroate ‘Bljeska‘ (Vetëtima) dhe ‘Olluja‘ (Stuhia) në zonat e banuara nga serbët gjatë kohës së luftës, është madje absurde edhe të përpiqesh. Dhe më qesharakja në këtë mes është se ishte Kroacia që ngriti padi kundër Serbisë dhe jo ne kundër saj", tha Vuçiç. Dragan Todoroviç, zv.kryetar i Partisë Nacionaliste Radikale Serbe, SRS, shkon edhe më tej, duke theksuar se Serbia duhet të ndërpresë çdo lloj kontakti me Kroacinë. Se çfarë qëndrimi mban Serbia kundrejt interesave të veta, e tregon më së miri fakti se ambasadorin e Malit të Zi e dëbuam, kurse atë të Kroacisë e kthyem!", tha Todoroviçi, duke shtuar se midis politikave të Ante Paveliçit (kreu i "shtetit" ustash kroat gjatë pushtimit gjerman), Franjo Tugjmanit (ish-president), Shtipe Mesiçit (president) dhe Ivo Sanaderit (kryeministër) nuk ka asnjë ndryshim.

Sidoqoftë, nuk mungojnë zërat e arsyeshëm që shprehen në favor të rregullimit të marrëdhënieve të prishura mes të dy vendeve. Kryetari i Këshillit Popullor Serb në Kroaci, Millorad Pupovac, mendon se ekziston një seri çështjesh, për të cilat Serbia dhe Kroacia mund të bashkëpunojnë dhe të merren vesh, duke numëruar si të tilla ato të refugjatëve, të kthimit të tyre, të së drejtës se banesave etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›