E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na dëmtuan edhe të tjerët

Trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi dënimin ndaj gjyqtarit Muhedin Ferati e konsideron si shumë të vonshëm. Ai vazhdon ta akuzojë Feratin, por edhe tre referë të tjerë, për të cilët thotë se gjatë këtij kampionati punuan me të madhe në favor të Hysit dhe në dëm të skuadrës së tij. Krasniqi bën thirrje që njerëzit e korruptuar të largohen nga futbolli kosovar. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 03 qershor 2011 në ora 13:20

Muhedin Ferati të mërkurën u dënua me pesë ndeshje mosreferim nga Komisioni profesionist i gjyqtarëve. Referi nga Istogu ishte shumë i përfolur në etapën e tretë të këtij kampionati. Ai vazhdimisht akuzohej nga trajnerët e disa klubeve, të cilët pohonin se Ferati po i ndihmon Hysit të stoliset me titullin e kampionit.

Krejt në fund, gjyqtari kontraverz mori një dënim prej pesë ndeshjeve mosreferim, pasi u konstatua se në ndeshjen shumë të rëndësishme të xhiros së 31-të mes Hysit e Besës (1:0), u kishte dhënë vendasve penallti të paqenë.

Ai vendim i Feratit bëri që – dy xhiro pa përfunduar kampionati – Hysi t’i afrohet shumë afër titullit të kampionit, dhe njëkohësisht shpresat e Prishtinës thuajse morën fund. Andaj, prishtinasit konsiderojnë se Ferati, bashkë me tre referë të tjerë, ua humbën gjasat për ta fituar titullin e kampionit, derisa Hysin e cilësojnë si lider të pamerituar.

“Tre-katër referë vazhdimisht kanë punuar në favor të Hysit dhe në dëm të Prishtinës. Sidomos prej xhiros së 23-të e këndej, ata kanë punuar me të madhe në favor të Hysit dhe në dëm të Prishtinës”, deklaroi për Express, trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi, por pa dashur t’i cekë me emra referët në fjalë.

Prandaj, bardhekaltrit nuk iu kanë gëzuar fort këtij dënimi ndaj Feratit, të cilin e vlerësojnë si shumë të vonshëm.

“Ai vendim i tij në ndeshjen mes Hysit e Besës është parë qartë nga çdokush, me ç’rast u zbulua ai. Por, a mund t’i paramendoni sa shumë e shumë raste të tjera nuk janë zbuluar apo ndoshta qëllimisht nuk janë zbuluar. U dënua në fund, kur ndeshja vendimtare ka përfunduar. E, çka tash...?. Është tepër e dëmshme që ai u zbulua kur kampionati thuajse përfundoi”, thotë ai.

Duke e kontestuar fuqishëm pozitën e parë të Hysit, Krasniqi thotë se kampionati i sivjetmë është për t’u harruar sa më shpejt.

“Kështu, ky kampionat ‘shkoi posht’. Tashmë po zhvillohet ‘shkel e shko’, sa për të përfunduar. Ky kampionat është për t’u harruar sa më shpejt”, shtoi Krasniqi.

Sipas tij, FFK-ja duhet t’i bëjë urgjentisht disa reforma. Ai thotë se njerëzit e korruptuar duhet të largohen nga Komisionet e FFK-së dhe në përgjithësi nga futbolli kosovar, i cili realisht edhe ashtu është në gjendje tepër të rëndë në çdo pikëpamje.

Krasniqi: Dënoni simuluesit

Në ligat evropiane, federatat përkatëse i dënojnë futbollistët kur ata simulojnë gjatë ndeshjeve të futbollit, pasi t’i shikojnë pamjet filmike.

Por, kjo nuk po praktikohet fare në futbollin kosovar. Gjyqtari Muhedin Ferati u dënua me pesë ndeshje mosreferim, pasi i kishte dhënë penallti të paqenë Hysit në duel me Besën (1:0). Por, nuk u dënua fare mesfushori i Hysit, Mentor Zhdrella, i cili kishte simuluar në atë rast, duke përfituar penallti, nëpërmjet së cilës edhe e çoi Hysin pranë titullit të kampionit, derisa Prishtinës thuajse ia humbi të gjitha shpresat.

Andaj, kryetrajneri i prishtinasve, Ramiz Krasniqi çuditet me faktin se pse në Kosovë nuk dënohen lojtarët që po simulojnë, e që realisht nuk janë të pakta ato raste.

“Me rregulla të UEFA-s e FIFA-s, ku ne po mendojmë të inkuadrohemi, simuluesit dënohen. Ato rregulla respektohen në të gjithë Evropën. Edhe ne, rregulloret i kemi të hartuara në përputhje me ato të UEFA-s, por në këtë rast nuk po zbatohen. Simuluesit duhet dënuar”, tha Krasniqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›