Kosova (P) shkruan historinë
Kosova e Prishtinës e ka shkruar historinë në futbollin e femrave në Kosovë duke u shpallur kampion në kampionatin e parë të mbajtur në vend. Prishtinaset ishin të pa konkurrencë, duke i fituar të gjitha ndeshjet që i zhvilluan këtë sezon, të fundit dje, kur e mposhtën Vizionin, 5:4. Përpos tyre, në ligën e parë të Kosovës morën pjesë edhe nënkampioni Prishtina, pastaj Trepça ’89, Vizioni, Malisheva, Llapi, Jakova e Kaçanikasja.
Përfaqësuesja e futbollit të femrave në Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Vjollca Krasniqi ndihet mjaft e kënaqur me rrjedhën e këtij edicioni, i cili u mbyll të enjten.
“Duke e marrë parasysh se është kampionati i parë, jemi të kënaqur me pjesëmarrjen dhe me nivelin e klubeve. Kushtet nuk kanë qenë kushedi sa të mira, pasi që klubet e femrave nuk kanë terrene te veta dhe janë të detyruara të luajnë në stadiume të meshkujve. Kampionati në përgjithësi ka qenë i rregullt, edhe pse ka munguar sponsorizimi. Duhet cekur se Federata i ka hequr disa prej shpenzimeve të klubeve, siç është referimi”, theksoi Krasniqi për Express.
Në këtë kampionat kanë marrë pjesë 8 klube, por ajo beson se ky numër do të rritet, që nga sezoni i ardhshëm. “Ka interesim dhe besoj se sezonin tjetër do të garojnë më shumë klube. Qytete të rëndësishme si Peja, Prizreni, por edhe të tjerat si Besiana, Kaçaniku e Malisheva, mund t’i bashkohen ligës me klubet e tyre”, vazhdoi ajo.
Sipas Krasniqit, nëse në Kosovë futbollistet do të kishin kushte më të mira, ato do të arrinin suksese në rajon, pasi kualiteti nuk u mungon. “Unë i përgëzoj ato që nuk u dorëzuan për asnjë çast, duke punuar edhe në kushtet më të vështira”, përfundoi Krasniqi.
Sopi: Nuk kishim konkurrencë
Trajneri Ilir Sopi pati merita të veçanta për shpalljen kampion të Kosovës së Prishtinës. Ai i udhëhoqi prishtinaset drejt sukseseve të njëpasnjëshme, mirëpo është i brengosur për kushtet në të cilat gjendet futbolli në Kosovë, posaçërisht ai i femrave.
“Sa i përket rrjedhës së kampionatit, mund të them se ka funksionuar disi, ka qenë i rrjedhshëm. Por, nevojitet punë e madhe, e ku barra kryesore u bie klubeve. Futbolli i femrave gjendet në kushte të mjerueshme, është kot të merresh me futboll sot në Kosovë”, deklaroi Sopi.
- “Unë e drejtoj një skuadër cilësore, ku prijmë në të gjitha aspektet, ekipore dhe individuale. Në Kosovë nuk kemi konkurrencë, por ne gjithmonë mundohemi që ta ndërtojmë një skuadër për të luajtur në Evropë”, vazhdoi ai.
Sopi beson se Kosova (P) do t’i vazhdojë sukseset edhe në sezonet e ardhshme. Ai personalisht nuk është i vendosur nëse do të qëndrojë më në këtë klub, ngase tregon se ka oferta nga klubet shqiptare.
Ndër të tjera, ai është edhe trajneri i parë (ndihmëstrajner) i Kombëtares shqiptare për femra, e cila udhëhiqet nga selektori Altin Rrakli. Rrugën e tij te kuqezinjtë e kanë ndjekur edhe 11 futbolliste nga Kosova, shumica prej tyre nga Kosova (P).
“Pasi Kosova nuk e pa të udhës të më emërojë trajner, një gjë të tillë e bëri Shqipëria, ku jam trajneri i parë. Ky është një nder i madh që më është bërë. Ndër të tjera, janë gjashtë futbolliste të Kosovës (P) që e përfaqësojnë Shqipërinë”, tha në fund Sopi.
Kosova e Prishtinës është ekipi më i organizuar në futbollin e femrave, pas luftës. Ky ekip ka funksionuar vazhdimisht dhe ka luajtur me ekipe të huaja, edhe kur nuk ekzistonte liga e femrave në vend. Andaj, puna prej një dekade iu shpërblye klubit nga Prishtina, që e fitoi titullin e kampionit me plot meritë.