E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na japin diçka

Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Europian i hapi rrugë nisjes së Studimit të Fizibilitetit për Kosovën, si hap i parë drejt nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Serbisë, ndërkaq, iu dha statusi i vendit kandidat. Kjo ishte çfarë prisnin dy vendet, pas nënshkrimit të marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Europian u ka dhënë mbështetje planeve të Komisionit Europian për të nisur studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën.

Në këtë takim ku kanë marrë pjesë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE’së dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton. Serbisë i është rekomanduar statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Kur është fjala për Kosovën, Brukseli për herë të parë ka aplikuar marrëveshjen që Kosova dhe Serbia kanë arritur rreth përfaqësimit rajonal, duke iu referuar vendit tonë si Kosovo me fusnotën e dakorduar, ku thuhet se formulimi nuk paragjykon pozicionet për statusin dhe është në pajtim me Rezolutën 1244/99 të KSKB dhe Opinionin e GJND’së mbi Deklaratën e Pavarësisë.

Në konkluzionet e Këshillit janë rikujtuar konkluzionet e 5 dhjetorit të vitit 2011, ku përmendet fillimi i liberalizimit të vizave me Kosovën që Komisioni Europian e kishte rekomanduar në Raportin e progresit të vitit të kaluar si dhe mundësia që Kosova të fillojë marrëdhëniet tregtare me BE’në.

“Pa paragjykuar pozicionin e vendeve anëtare të BE’së për statusin, apo edhe vendimet e ardhshme që do të merren nga Këshilli, Këshilli merr në dijeni qëllimin e Komisionit për të nisur studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Europian dhe Kosovës”, thuhet në konkluzione.

Po ashtu, Këshilli u ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura më herët.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë të martën se shpresojnë që rruga deri në nënshkrimin e marrëveshjes MSA të zgjasë jo më shumë se një vit, por një gjë e tillë duket e pamundur.

Konkluzioneve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme i është bashkëngjitur edhe një aneks – deklaratë e Komisionit Europian ku flitet për studimin e fizibilitetit.

“Studimi i fizibilitetit nga ana e Komisionit do të ekzaminojë se a janë përmbushur kriteret politike, ekonomike dhe legale për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Fillimi i studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit nuk paragjykon statusin juridik dhe pozicionin e shteteve anëtare rreth njohjes së Kosovës”, thuhet në aneks.

Serbia kandidat për anëtarësim në BE

Këshilli për Çështje të Përgjithshme të martën me vështirësi ka ardhur deri te vendimi për kandidaturën e Serbisë.

Vendi që ka rezistuar më së shumti ka qenë Rumania, e cila ka insistuar që Serbia të përmirësojë pozicionin e minoritetit vllah në Serbi.

Kjo ka nxitur kokëçarjen e ministrave të jashtëm të BE’së, të cilët kanë reaguar në mënyra të ndryshme.

Mospajtimet për këtë i ka bërë publike Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, i cili ka thënë se Rumania ka humbur frymën europiane.

Sido që të jetë, edhe pse rumunët kanë arritur të vonojnë pak vendimin e ministrave, Serbia ka arritur të marrë statusin e vendit kandida,t çka kishte dështuar ta bënte në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

“Në pajtim me Konkluzionet e Këshillit Europian të 9 dhjetorit 2011, Këshilli ka ekzaminuar dhe konfirmuar se Serbia ka vazhduar të tregojë përkushtim dhe ka arritur progres në implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, duke përfshirë IBM’në, ka arritur marrëveshje për përfaqësim rajonal inkluziv dhe ka bashkëpunuar aktivisht dhe i ka mundësuar EULEX’it dhe KFOR’it që të kryejnë mandatet e tyre. Duke pasur parasysh këto ekzaminime, Këshilli rekomandon që Serbisë t’i jepet statusi i kandidatit dhe pret që kjo të konfirmohet në mars nga Këshilli Europian:

Thaçi – shkurtohet afati për vizat

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi duke komentuar rreth vendimit të BE’së që për studimin e fizibilitetit, ka thënë se po ashtu është marrë edhe një vendim për shkurtimin e periudhës kohore për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ne do të lëvizim gradualisht me hapa të sigurt në perspektivën tonë europiane duke bërë reforma të thella, të domosdoshme kudo që jetojmë në Kosovën e re, në Kosovën evropiane, në Kosovën e gjithë qytetarëve të saj”, ka thënë Thaçi.

Por ai nuk ka mundur të thotë se sa është shkurtuar kjo duke thënë se për këtë do të tregojë në ditët e ardhme.

Ndërkohë, është bërë e ditur se Thaçi të enjten do të qëndrojë në Bruksel, ku pritet të takojë zyrtarë të lartë evropianë.

Ndërkohë, në kryeqytetin europian ka qëndruar Presidenti i Serbisë, Boris Tadic.

Ai ka komentuar ftohtë duke thënë se ministrat e BE’së vetëm kanë rekomanduar që Serbia që të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe se ende ka mundësi që një gjë e tillë të refuzohet.

Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy pas takimit me Tadicin, ka thënë se do të kërkojë gjatë samitit të BE’së më 1 dhe 2 mars që të konfirmohet statusi i kandidatit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›