Skandali i burgut të Burrelit

Në lidhje me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ndaj drejtorit Brahilika, mësohet se ajo është ngritur pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte urdhëruar ngritjen e një vendroje, pikërisht në vendin e largimit të dënuarve Preng Lleshi e Fran Marashi. Megjithëse urdhri është dhënë tri javë më parë, atëherë kur Brahilika mori detyrën e drejtorit, ai nuk ishte zbatuar për arsye që ende nuk bëhen publike. Ndërkohë, akuza e dytë, ajo për “fshehje të krimit”, lidhet me faktin se 4-5 orë para arratisjes së dy të dënuarve, drejtoria e burgut është vënë në dijeni për prerjen e telave të dritares, ku vuanin dënimin Lleshi e Marashi. Mirëpo pa u njoftuar fare organi i prokurorisë, që është urdhëruar të mbulojë edhe ngjarjet në burgun e Burrelit, është kryer saldimi i telave të prerë. “Duhej me çdo kusht të lajmërohej prokuroria e rrethit për thyerjen e bërë dhe saldimin e kryer. Në këtë rast, drejtori i burgut, Eduart Brahilika ka shkelur ligjin, duke fshehur krimin e kryer”, sqaruan prokurorët e çështjes. Abuzimi me dy të dënuarit është thelluar akoma më tej. Preng Lleshi e Fran Marashi janë nxjerrë nga dhoma ku ishin përgatitur të arratiseshin dhe janë izoluar në një qeli tjetër, e cila sipas prokurorisë, ishte shumë më pak e sigurt nga qelia e mëparshme. Edhe në këtë vend izolimi, dy të arratisurit kanë arritur të presin kangjellat. Mendohet se është përdorur fije sharre ose diamanti, ndërsa gardianët i kanë parë, por nuk kanë treguar gjë, mendohet kundrejt ryshfetit. Pas arrestimit të drejtorit të burgut, prokurorët e çështjes kanë faktuar se shefat e regjimit të brendshëm, Kadri Domi e Luan Hysa, nuk kanë zbatuar rregullat e normat e burgjeve, por kanë toleruar herë pas here. Ata kanë qenë të informuar se disa dritare të këtij burgu janë sharruar dhe këtë fakt nuk e kanë bërë të ditur për drejtuesit e burgut dhe prokurorinë e rrethit. Oficeri roje dhe punonjësit e regjimit të brendshëm, Fatmir Domi, Fiqiri Ceni, Edvin Heta dhe Ardian Ruka janë bashkuar në qelitë e Komisariatit të Policisë me Preng Lleshin e Fran Marashin, sepse nuk kanë zbatuar rregulloren e sigurisë së brendshme dhe nuk kanë njoftuar në kohë autoritetet për arratisjen e dy të dënuarve. Dje pasdite është ndaluar shefi i policisë së burgut, Thanas Ymeri, për “shpërdorim detyre” dhe “fshehje të krimit”. Edhe ky zyrtar policie e ka ditur se disa nga telat e dritareve të qelive të burgut ishin sharruar disa ditë më parë dhe ky fakt nuk e ka shqetësuar atë. Ndërkohë, pezullimi nga puna i dy punonjësve të policisë së Burrelit duket, sipas burimeve të gazetës, paradoksal. Kelmend Gjoka, shef i informacionit dhe Sul Stafa, roje pranë godinës së policisë, fillimisht janë arrestuar dhe më pastaj janë pezulluar nga puna, me pretekstin se ata nuk duhet të kishin lejuar gazetarët të filmonin dhe intervistonin dy të arratisurit. Mbrëmë, për të dyshuar është thërritur edhe ish-drejtori i burgut, Shyqyri Dushku, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe lidhje me të dënuarit. “Vetëm brenda një dite kemi gjetur 8 celularë në qeli”, thanë burime pranë Prokurorisë së Matit. Ai do të hetohet për akumulimin e shumë problemeve në këtë institucion të rëndësishëm”.
Plani “i hershëm” i arratisjes së 80 të burgosurve
Pas një pune të gjatë të grupit hetimor dhe SHKB-së së burgjeve, është zbardhur gati e gjithë skema e arratisjes. Dy të larguarit për pak kohë nga ky burg i një sigurie të veçantë janë shprehur se arratisja ishte sajuar afro 2 muaj më parë. Ishte menduar jo vetëm largimi nga qelitë i dyshes së njohur, por sipas grupit hetimor ishte përgatitur largimi nga ky burg i afro 80 dënuarve të seksionit B, të dënuar mjaft të rrezikshëm. Më shumë se gjysma e këtij kontingjenti janë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe pjesa tjetër me më shumë se 20 vjet.