Qeveria: Ulëm papunësinë

Qeveria tha se zhvillimet në tregun e punës gjatë vitit 2007 paraqiten pozitive dhe reflektohen në rënien graduale të normës së papunësisë, duke arritur në 13.2 për qind në fund të vitit. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, pagat në sektorin shtetëror dhe në atë privat janë rritur dukshëm. Sipas të dhënave zyrtare, norma e papunësisë në fund të vitit 2007 shënonte 13.2 për qind nga 14 e 13.9 për qind që ajo shënonte në fund të viteve 2005 e 2006. Materiali i publikuar nga ATSH-ja të dielën, mbështetej në paraqitjen e reformave të qeverisë për rritjen e eficencës e për përmirësimin e shërbimit të administratës publike dhe sipas burimeve zyrtare, ku numri i të punësuarve në sektorin shtetëror ka vazhduar të ndjekë një trend të lehtë rënës. Që nga viti 2005 e deri në fund të vitit 2007, numri i të punësuarve në sektorin shtetëror është ulur me rreth 4.8 për qind. Nga ana tjetër, paga mesatare në këtë sektor që prej gjysmës së dytë të vitit 2005 e deri në fund të vitit 2007 është rritur vazhdimisht, rritje e cila arrin në rreth 31 për qind. Në bazë të të dhënave, numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor gjatë vitit 2007 ka pasur një rritje prej rreth 1.2 për qindësh. Numri i të punësuarve në industri në krahasim me ato të një viti më parë është rritur përkatësisht 7.3 për qind. Ndërsa pagat mesatare të industrisë janë rritur me 23 për qind. Numri i të punësuarve në industrinë nxjerrëse gjatë vitit 2007 në krahasim me një vit më parë është rritur përkatësisht me 10.3 për qind, ndërsa pagat janë rritur me 24.8 për qind. Në industrinë përpunuese, rritja e numrit të të punësuarve ka qenë 10.5 për qind. Pagat në këtë industri janë rritur me 31.4 për qind. Në ndërtim, numri i të punësuarve ka pasur një rënie gjatë vitit 2007, krahasuar me ato të një viti më parë me 6.7 për qind. Megjithatë, sipas ekspertëve të ekonomisë, me metodologjinë aktuale statistikat e punësimit të këtij sektori nuk përfshijnë kontributin e kompanisë “Bechtel”, e angazhuar në ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë, e cila rezulton të ketë punësuar një numër mjaft të lartë punonjësish (mbi 2.300). Nga ana tjetër, pagat në këtë sektor janë rritur me 19.2 për qind. Të dhënat shpjegojnë se thuajse të njëjtin trend paraqesin edhe në sektorët kryesorë të shërbimeve, si ai hotelier, i transportit, i tregtisë me pakicë dhe i postave e komunikacionit. Rritja më e lartë është shënuar në numrin e të punësuarve në hotele dhe në pagat e këtij aktiviteti. Numri i të punësuarve në hotele ka qenë 7 për qind më i lartë gjatë vitit 2007 krahasuar me një vit më parë. Ndërsa pagat janë rritur 11.5 për qind, duke reflektuar në njëfarë mase bumin turistik gjatë këtij viti.