Reshjet, strukturat e angazhuara në Shkodër, vazhdojnë punën për normalizimin e situatës

Strukturat e angazhuara për përballimin e situatës së krijuar në Qarkun e Shkodrës si pasojë e reshjeve të shumta të tri javëve të fundit, janë duke vepruar në terren në zbatim të detyrave të përcaktuara nga Komisioni i Emergjencës Civile. Konkretisht në fshatin Daragjat të Komunës Dajç po punohet për përforcimin e argjinaturës. Në Bërdicë po ngrihet kampingu me 20 çadra në funksion të Komunës Dajç. Vazhdojnë punimet në fshatin Ashtë të Komunës Bushat për përforcimin me mjete inerte me qëllim ruajtjen nga dëmtimi të 10 shtëpive që mund të rrezikohen nga shembjet për shkak të gërryerjeve nga Lumi Drin. Nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura, me mjetet që disponojnë aktualisht po merren masa për drejtimin e operacioneve të evakuim-shpëtimit. Në fshatrat Shirq, Daragjat e Dajç janë dërguar forca dhe mjete për evakuimin e komunitetit. Edhe në Komunën Ana e Malit janë vënë forca dhe mjete në dispozicion për evakuimin e komunitetit si dhe janë dërguar thasë me rërë për përforcimin e pritave në fshatin Gorricë. Nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Shkodër janë mbyllur shkollat në Komunat Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi(fshatrat Vukatanë, Kuç, lagjen Ajasëm(Bashkia Shkodër) deri në një urdhër të dytë.
Ruli: Shkodra dhe Korca, qytetet më të prekura nga përmbytjet/ Sipas informacioneve paraprake, niveli i ujit ka shënuar rritje dhe përhapje të mëtejshme në Shkodër. Sipas ministrit të Bujqësisë Genc Ruli, Shkodra dhe Korça janë qytetet më të përmbytura dhe për këto duhet një vëmendjen e veçantë. Duke pranuar se situata është kritike dhe rreziku gjithnjë i pranishëm, Ruli bëri apel që banorët e zonave të jenë të përgatitur për evakuim në rast emergjence. Aktualisht, rezultojnë të jenë 3600 hektarë tokë të përmbytura në Dajç, Ana e Malit, Velipojë dhe Bushat në zonën e Shkodrës, raportoi ministri Ruli gjatë mbledhjes se sotme te Shtabit te Emergjencave Civile, duke folur për përmbytjet në Shkodër. Sipas tij, problematike është situata edhe në Korçë. “Në Korçë për shkak të çarjes së pjesshme të argjinaturës dhe fryrjes së Devollit kemi përmbytje në zonën e ish-Kënetës”, tha Ruli. Sipas tij, situata është e rëndë, por jo e pa menaxhueshme. “Për përballimin e situatës është i nevojshëm bashkëpunimi i të gjitha strukturave. Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar Shkodrës, për shkak se ky qytet sapo ka dalë nga një përmbytje”, tha Ruli, duke shtuar më tej se situata e prurjeve në lumin Drin është e paparashikueshme. Megjithatë përballë çdo situate ushtria do jetë në dispozicion të banorëve për të bërë evakuimin, ndaj banoret të jenë të përgatitur për çdo situatë.
...