Nacizmi kulturor
Para qindra qytetarëve, ditën e martë u vendos skulptura megalomane e Lekës, e cila, pas montimit disaditor radhazi, u vu në krye të shatërvanit, në sheshin kryesor të Shkupit. Vendosja e skulpturës do të ndiqet me ovacione të qytetarëve të mbledhur, punëtorëve fizikë të cilët dukeshin të ekzaltuar me histori të rishkruar, derisa goja e tyre ishte lagur ndërkohë me kokrra patligjani dhe copa të bukës së zezë, e cila rrinte shtrënguar në duar të pluhurosura fort. Derisa Leka e tërhiqte vëmendjen e publikut, ndoshta në kohë sinkrone në Manastir, në Lagjen e Shkupit do të vendosen skulpturat e babait të tij, Filipit. Pjesa më e madhe e qytetarëve në këtë lagje ishin pensionistë, të cilët fatkeqësisht nuk mund të jetojnë nga “rroga”, mirëpo, shpirtra emotivë, patriotikë të cilët filluan të bërtasin “Makedonia, Makedonia” me dialekt bullgar, duke kënduar këngë e duke vallëzuar me ritmin “shqiptar”. Sipas tyre, kjo ditë është historike dhe dita më e madhe pas rënies së sistemit komunist në këto treva vëllazërimi e bashkimi.
Në bazë të shumë pak kuadrove, të cilat pata rastin t’i shoh në TV Alsat, përreth mungonin rock-bende, intelektualë të profileve të ndryshme dhe studentë të një mentaliteti paneuropian dhe një networku ndërkombëtar. M’u kujtua Sloba, i cili do të deklaronte ndoshta në mënyrë analoge në fund të viteve të tetëdhjeta se ne “…sot do ta shkruajmë historinë e jo të bëhet nga të tjerët…”.
Para shumë viteve, Akademia e Arteve dhe Shkencave e Maqedonisë do t’i vizatonte shqiptarët si njerëz të cilët zbresin nga druri, ndërsa vetëm para disa ditëve në literaturat e shkollës fillore shqiptarëve do t’u zyrtarizohet origjina ilire. Mirëpo, adoleshentëve ata do t’iu shpjegohen si popull sadist dhe i dhunshëm, duke krijuar antipati dhe mungesë diversiteti në nevoja kulturore, të gjitha këto të “nënshkruara” nga kryeministri në fuqi. Kryeministri Nikola Gruevski, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, qëndronte tash nën hijen e “luftëtarit mbi kalë”, e buzëqeshte me krenari pa pushim. Ishte sikur në filma, madje edhe më mirë, në shesh para kameramanëve, fotografëve, gazetarëve.
Para disa javëve, në organizimin e teatrit alternativ “ODA” do të mbahej konferenca ndërkombëtare në temën “Qytetet Kulturore”. Në debat participant ishte edhe Dr. Nebojsa Vilic, ligjërues në Universitetin “Kirili e Metodi” në Shkup. Ky ishte ndoshta ndër të rrallët, i cili kishte në duar infrastrukturën e Shkupit, historia shekullore e të cilit do të ndërtohet vetëm për disa “dakika!”.
Me një ironi Sokrati, ky intelektual do të shpjegonte detajisht se si do të fillohet me “plagjiat” ndërtime, duke nisur me një “Portë Triumfale në një hapësirë absurdi e do të përfundohet me trashëgimi antike përskaj lumit Vardar”.
Me një kuazi-trashëgimi historiko-kulturore, ndoshta pas një dekade pavarësisht nga emri diskutabil i shtetit, këto skulptura do të paraqesin potencial me mundësi përfitimesh dhe zhvillime të qëndrueshme shoqërore, ekonomike, kulturore dhe të turizmit kulturor. Kushedi! Mirëpo, përveç dimensionit material, këtu shumë lehtë mund të flitet edhe për dimensionin psikologjik, në dy tipologji: Kryeministri Gruevski, i cili pasqyrohet si karakter autoritar dhe populli, i cili merr ngadalë formën e një pulle automati. Ata të cilët përkrahin veprimet e Kryeministrit Gruevski e shohin “nacizmin kulturor” si identitet autentik i cili, po ashtu, është rezultat i një “dinamizmi kulturor” e ekspansion i një partie politike e përkrahur zakonisht nga ekstremistë maqedonas, të cilët suksesin e shohin si dominim të pakicës dhe tjetërsim të shumicës (shqiptarët e minoritetet). Ata të dytët mendojnë se “nacizmi kulturor” mund të shpjegohet vetëm me “psikopatologji”. Shumë intelektualë, në Gruevskin shohin një “neurotik”, i cili udhëheq njerëz me mungesë baraspeshe. Motivet e vërteta të dominimit padyshim duhet të kërkohen në shpirtin njerëzor, e jo në ekonomi-kulturë-histori. “Nacizmi kulturor”, po ashtu, shpjegohet si krenari, dezintegrim neurotik e jo refleks i një marrëveshjeje të Ohrit, ashtu si mendohet nga shumë analistë deri para “luftëtarit në kalë”. “Nacizmi kulturor” është problem ekonomiko-historiko-politiko-kulturor, mirëpo duhet të kuptohet se forca e kësaj ideologjie mbështetet në bazament psikologjik. Është fare e parëndësishme se kjo skulpturë është 28 metra e lartë, se peshon shumë tonë, e populli zhytet në varfëri. I rëndësishëm është emocioni i krenarisë dhe duartrokitja e njerëzve të zakonshëm për Lekën e Valentina Stevanovskas. Për këtë skulpturë do të harxhohen “vetëm” 9.4 milionë euro, duke e shndërruar kulturën në prioritet afatgjatë. Tek ne, Qeveria do të ndajë vetëm 0.94 % për zhvillim kulture. A mund të më thotë dikush se si mund të duartrokitet luftëtari nëse atij i mungon kali?