E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapë do të falen në rrugë

Nga Express më 28 qershor 2011 në ora 20:30

Besimtarët myslimanë kanë paralajmëruar se edhe këtë të premte do të falin namazin në udhëkryqin afër Xhamisë së Qarshisë në Prishtinë, si shenjë proteste për mosndërtimin e një xhamie. Në emër të Lëvizjes “Bashkohu”, Fuad Ramiqi ka thënë se sikurse herën e kaluar protesta do të jetë e qetë dhe paqësore.

Do të bëhet hera e tretë që besimtarët myslimanë protestojnë në mënyrë të organizuar nga Lëvizja “Bashkohu”, përmes së cilës formë të protestës kërkohet ndërtimi i një xhamie e ndonjëherë i një Qendre Islame në Prishtinë.

Duke folur në emër të xhematit, Fuad Ramiqi ka thënë se kjo është një kërkesë për dinjitetin e myslimanë, ndërsa ka kritikuar disa nga pjesëtarët e policisë që me ndërhyrjen e tyre gati e kanë prishur protestën paqësore.

“Pas shumë analizave që kemi bërë dhe ngjarjeve që kanë ndodhë xhumanë e kaluar, ndërhyrjen e forcave të policisë, më mirë me thënë të disa individëve të cilët e kanë bërë një gjest jo të hijshëm dhe i kanë dhënë një imazh shumë të keq si protestës po ashtu edhe Prishtinës, Kosovës, ne kemi vendosur që protestën e ardhshme të xhumasë që do të jetë do ta bëjmë prapë në të njëjtin vend. Kjo sepse e kemi pa të rëndësishëm që presionet që i kemi nga xhemati anë e mbanë Kosovës edhe ngjarjet që kanë ndodhur që kanë qenë të personalizuara më tepër me punë inatesh, e kemi pa të arsyeshme që prapë protestën ta mbajmë të xhumanë në të njëjtin vend sikurse edhe xhumanë e kaluar”, ka thënë ai, siç transmeton Kosovapress.

Edhe në këtë rast, Ramiqi u është drejtuar institucioneve komunale dhe qendrore, duke thënë se kërkesa për ndërtimin e një xhamie të madhe është kërkesë nën të cilin nuk mund të shkohet në asnjë mënyrë.

Edhe javën e kaluar besimtarët myslimanë kanë bërë faljen e xhumasë në rrugë në shenjë proteste, mirëpo ka pasur përballje të besimtarëve me policinë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të drejtuesve të xhematit për falje dhe shpërndarje të qetë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›