E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naço: LSI do mbetet me profil të majtë

 

Deputeti i LSI-së në qarkun e Beratit, Nasip Naço, shprehet se kjo parti do të mbetet me një profil të qartë të majtë dhe pse është në koalicion me të djathtët. Sipas tij, deputetët e LSI-së do të lobojnë për ligje dhe reforma të qëndrueshme. Juristi që deri para një viti drejtonte prokurorinë e Durrësit, deklaron se pikërisht për shkak të kësaj karriere, ai do të lobojë në parlamentin e ardhshëm për të çliruar sistemin e drejtësisë nga ndikimi politik. “Çështja e një gjyqtari është çështje e një gjyqtari, çështja e një prokurori dhe s’ka pse të ndikohet nga lojërat politike”, u shpreh Naço. Duke besuar në një koalicion të qëndrueshëm 4-vjeçar me demokratët, Nasip Naço thotë se, “LSI do të mbetet një forcë me profil të qartë të majtë”. Sipas tij, kjo parti jo vetëm nuk ka humbur besimin e elektoratit pas aleancës me të djathtët e Berishës, por në të ardhmen, do të shtojë radhët edhe me socialistë. LSI vendosi t’i thotë po ftesës së kryeministrit Berisha për të bashkëpunuar në një koalicion të ri qeveritar, duke e quajtur dhe koalicioni qeverisës i Integrimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›