PS: INSTAT, institucion i pabesueshëm
Deputetja socialiste Ermelinda Meksi akuzoi INSTAT për shifra jo reale të rritjes ekonomike të vendit. “Faktin që institucioni i statistikave shqiptare është bërë i pabesueshëm, tashmë është konfirmuar nga shumë grupe interesi dhe ato të biznesit. Unë nuk do të ndalesha me të dhënat tremujore, të cilat megjithatë nuk shprehin trendin, por do të them që këtë tregues, ne do ta vlerësojmë ashtu siç duhet në fund të vitit, siç bëmë vitin e kaluar”, tha Meksi. Deputetja socialiste, përmes një konference për shtyp në selinë rozë, solli shifra që tregojnë rënien në treg të likuiditetit për ekonominë. “Ulja e depozitave që vjen si rrjedhojë e faktorëve të një realiteti ekonomik, ndryshe nga ai që supozohet, ka sjellë uljen e gjeneratorit kryesor të zhvillimit ekonomik që është kreditimi. Ky është shqetësimi për sot për të gjithë shqiptarët, për ekonominë dhe për biznesin, i cili duhet parë për fat të keq, jo siç e pa kapiteni i Titanikut ajsbergun e t’i shmangej, dhe të përfundojmë siç përfundoi Titaniku në fund të oqeanit”, u shpreh Meksi.