PS akuzon Berishën për vizat, PD: Maskim i humbjes
Aristir Lumezi
“Qëndrimi i Bashkimit Evropian për regjimin e vizave me Ballkanin konfirmoi dështimin e qeverisë”. Ky është qëndrimi i Partisë Socialiste, sipas së cilës qeveria penalizoi padrejtësisht shqiptarët, pasi dështoi në realizimin e disa reformave, e për pasojë vendi ynë u përjashtua nga regjimi i vizave. “Propozimi i fundit i Komisionit Evropian konfirmon atë që Partia Socialiste ka disa muaj që ua bën me dije shqiptarëve, duke nënvizuar vijimësisht se për shkak të paaftësisë e të korrupsionit të kësaj qeverie, Shqipëria mbetet jashtë programit të heqjes së vizave me Bashkimin Evropian”, theksoi përmes një deklarate për mediat deputeti i ri socialist, Ditmir Bushati. Partia Socialiste akuzon qeverinë Berisha për mosmbushjen e kushteve të nevojshme për t’u bërë pjesë e vendeve që mund të lëvizin pa viza në Evropë, duke theksuar se në këtë mënyrë kryeministri Berisha thellon më tej hendekun mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit. “Në kundërshtim me propagandën boshe të oborrit të Kryeministrit dhe tonelatat e gënjeshtrave elektorale për Shqipërinë pa viza, qëndrimi i KE-së konfirmon se, “qeveria familjare e Sali Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira, pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm, ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve”.
Duke radhitur disa nga dështimet e qeverisë shqiptare, Bushati u shpreh se ajo ka dështuar në shumë nga kriteret që Bashkimi Evropian kërkon të plotësohen prej vendeve kandidate për të liberalizuar vizat. “Qeveria familjare e Sali Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kryesisht në lidhje me mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe komunitetit rom. Qeveria familjare e Sali Berishës mban përgjegjësi direkt për klimën konfliktuale ndaj agjencive të zbatimit të ligjit dhe në stimulimin e aferave megakorruptive”, u shpreh Bushati.
PD
Ndaj këtij qëndrimi të socialistëve ka reaguar selia blu, përmes zëdhënëses së saj. Erla Mëhilli e konsideroi deklaratën e Bushatit si një përpjekje për të maskuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Dje dhe sot, Edi Rama, në vazhdën e përpjekjeve për të maskuar humbjen e zgjedhjeve, shprehu gëzimin dhe kënaqësinë se Komisioni Evropian vendosi që të shqyrtojë gjatë vitit liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Dje çuni i Kristaqit dhe sot çuni e Sulës derdhën lot krokodili për këtë vendim dhe akuzuan qeverinë për këtë”, tha Mëhilli. Sipas saj, Partia Demokratike duke i konsideruar të neveritshme këto qëndrime të çunave të bllokut, siguron shqiptarët se premtimi i saj elektoral për heqjen e vizave brenda vitit të parë të mandatit të saj të dytë do të bëhet realitet. “Të tilla deklarata të z.Rama, në tentativë për të maskuar humbjen dhe shpëtuar veten nga dorëheqja, do të kemi rastin t’i dëgjojmë gjatë gjithë verës, sepse në fakt, këto janë deklarata të një humbësi në panik, të cilat nuk i ka as për Partinë Demokratike e as për maxhorancën, por i sajon si alibi për t’i shpëtuar verdiktit tashmë të socialistëve, pasi mori verdiktin e të gjithë shqiptarëve në 28 qershor”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike.