Dy ministrat: Mbi gjithçka, partitë duhet të vendosin interesat e vendit
TIRANË Në vizitën e tyre disaorëshe, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, dhe ministri i Jashtëm grek, Stavros Lambrinidis; zhvilluan takime intensive me kryeministrin Berisha, presidentin Topi, kryetarin e opozitës, Rama, dhe ministrin e Jashtëm, Haxhinasto. Gjatë takimeve të zhvilluara të dy ministrat u shprehën se vizita e tyre vjen në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit të Shqipërisë dhe synon të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga Bashkimi Europian. Ata rikonfirmuan mbështetjen e pakursyer jo vetëm të dy vendeve që ata përfaqësojnë, por edhe të Bashkimit Europian për përmbushjen e aspiratave integruese të popullit shqiptar, por theksuan se procesi integrues europian i Shqipërisë do të varet nga plotësimi i standardeve dhe nga bashkëpunimi i klasës politike shqiptare, e cila duhet të vendosë interesat madhore të vendit mbi gjithçka, duke u ndërgjegjësuar maksimalisht për këtë. “Mbi të gjitha, duhet një bashkëpunim për të bërë të mundur përparimin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj integrues”, - theksuan dy ministrat e Jashtëm të vendeve fqinje në takimin e zhvilluar me presidentin e Republikës, Bamir Topi.