E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami dhe Harasani përballë Ramës në grupin e PS-së

Zhvillimi i seancës plenare të Kuvendit ditën e sotme ka detyruar grupin parlamentar socialist që ta zhvillojë mbledhjen dje. Takimi ka nisur gati 30 minuta me vonesë, për shkak se kryetari Rama, si dhe tre deputetë të tjerë, ishin angazhuar në një takim me dy ministrat Fratini dhe Lambrinidis. Por pritja ka qenë e kotë, pasi takimi i kryetarit të partisë ka zgjatur më shumë se parashikimi, ndaj kreu i grupit, Gramoz Ruçi, ka thirrur deputetët në mbledhje. Të pranishëm kanë qenë edhe dy deputetët Andis Harasani dhe Kastriot Islami, të njohur tashmë si kritikë të vazhdueshëm të mënyrës sesi Rama po drejton Partinë Socialiste. Në fakt, ajo që përbënte surprizë gjatë mbledhjes së djeshme ishte prania e Islamit, i cili rikthehet në mbledhjet e grupit pas një kohe të gjatë, çka nuk mund të thuhet për Harasanin, i cili ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e para një jave. Fillimisht dy deputetët “rebelë” kanë qëndruar për pak kohë në një nga tavolinat e barit “Austria”, ndërkohë që thuajse i gjithë grupi tjetër i deputetëve kanë qëndruar brenda tij. Më pas Islami dhe Harasani janë ngjitur të parët në sallën ku zhvillohen mbledhjet e grupit dhe pranë tyre është ulur dhe deputeti Arben Malaj. Burime nga mbledhja e grupit që është zhvilluar për rreth 25 minuta me dyer të mbyllura kanë bërë të ditur se nuk ka patur asnjë shkëmbim fjalësh mes deputetëve të tjerë dhe dy deputetëve kritikë. Ndërkohë që mbledhja e djeshme ka bërë që për herë të parë pas shumë kohësh Islami të ballafaqohej të paktën fizikisht edhe me kryetarin e PS-së, Edi Rama, me të cilin thuajse i ka prerë fare marrëdhëniet. Rama ka mbërritur në sallën e mbledhjeve të grupit fill pas përfundimit të diskutimeve, por nuk ka shkëmbyer asnjë shikim me dy deputetët, për të cilët ka deklaruar më parë se janë vetëpërjashtuar, megjithëse i kishte shumë afër në distancë. Islami dhe Rama janë shkëmbyer edhe në shkallët e selisë në katin e parë, por sërish kanë mbajtur qëndrim të ftohtë mes tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›