Kriza e borxheve në Itali, çon euron në rënie
Bursat në Itali, Gjermani e SHBA janë tronditur. Euro po bie me hapa të shpejtë. Roma është vënë në shënjestër të spekulantëve. Shkak kriza e borxheve në Itali dhe ngurrimi i ministrave europianë për të ndërhyrë. Për shkak të kësaj situate, vlera e euros në tregun tonë ra dje në 138.9 lekë, plot një pikë më pak se një vit më parë. Tregjet financiare po presin një sinjal të fortë, por ai nuk po vjen. Duket se ka nisur finalja për EURO-n. “Tani gjithçka është bërë shumë serioze,” thotë eksperti i borxheve, Guntram Vulf. Shumë nga ekspertët besojnë se Italia do jetë Greqia e ardhshme. Investitorët po u largohen bonove të Italisë në një moment të vështirë. Vlerësimi i agjencive të rating-ut është i drejtë, thonë ekspertët. “Nëse unë bie, bie Italia. Nëse Italia bie, atëherë bie dhe Euro. Është një reaksion zinxhir,” thotë ministri i Financave i Italisë, Giulio Tremonti. Po ku është Berluskoni? Herën e fundit thuhet se ka folur në telefon me kancelaren gjermane. Më pas nuk kapej më në telefon. Një zëdhënës i tij thotë se ai nuk do të shprehet se ka frikë se mund të ndikojë në gjendjen e bursave. Ndërkohë Brukseli po lëviz, por lëvizja është kaotike. Është koha për t’u lutur. “Spekulantët mund ta shqyejnë Italinë,” parashikonte Berluskoni para ca kohësh. Beteja ka nisur.