E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, gati të ndihmojë Greqinë

Kriza Gjermania e Franca mund të blejnë borxhin grek

Bankat nën pronësi shtetërore në Gjermani, Francë e Holandë mund të blejnë gjatë ditëve të ardhshme rreth 30 miliardë euro bonde greke, masë që pritet të ulë rrezikun dhe të parandalojë krizën. Lajmi bëhet i ditur nga “Wall Street Journal”, e cila i referohet burimeve konfidenciale. Greqia pritet të hasë në vështirësi të konsiderueshme gjatë muajve mars e prill për shkak se disa bonde të saj me vlerë prej 30 miliardë eurosh maturojnë dhe shumë investitorë po e shohin të rrezikshëm blerjen e bondeve të këtij vendi. Nga ana tjetër, një pjesë e zyrtarëve të BE-së besojnë se tregjet po e ndëshkojnë Greqinë më shumë nga sa meriton dhe se situata mund të përkeqësohet jo më nga mungesa e disiplinës financiare të Athinës, por nga investitorët spekulativë.

“Reuters” raportoi dje se Athina pritet të shpallë masa të reja për reduktimin e deficitit, ndërsa pas kuintave po negociohet një marrëveshje ndihme me Bashkimin Europian. Një mision i BE-së vizitoi Athinën javën e fundit dhe doli në konkluzionin se masat e marra deri tani nga qeveria greke nuk janë të mjaftueshme për të bindur tregjet ndërkombëtare.

Komisioneri i BE-së për Ekonominë, Olli Rehn, pritet të vizitojë Athinën sot për të diskutuar mbi krizën, ndërsa disa investitorë po spekulojnë mbi mundësinë e një marrëveshjeje. BE pritet të ofrojë ndihmë në këmbim të masave për uljen e shpenzimeve. Një anëtar gjerman i Parlamentit Europian, Jorgo Chatzimarkakis, deklaroi të shtunën se vendet e BE-së do ta lehtësojnë krizën duke blerë borxhin e Greqisë. Por “Reuters” u shpreh me skepticizëm mbi këtë deklaratë duke shtuar se Chatzimarkakis nuk është një politikan i klasit të lartë në Gjermani dhe ka pak gjasa që ai të disponojë informacion kaq të rezervuar. Po dje, qeveritë e Gjermanisë dhe Francës deklaruan se asnjë vendim mbi këtë çështje nuk është ndërmarrë ende. “Absolutisht asnjë vendim nuk është marrë. Dua ta bëj të qartë për të gjithë se Greqia duhet të marrë masat që janë në interes të saj dhe në interesin tonë gjithashtu”, tha Merkel.

Holanda deklaroi se nuk kishte në plan të blinte bonde të Greqisë, megjithëse prioriteti i saj qe stabiliteti i euros. “Ne nuk duam të shpenzojmë paratë e taksapaguesve për të shpëtuar grekët”, deklaroi Jan Kees de Jager, i cili kryen detyrën e ministrit të Financave.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›