E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naco Roland Berger konsulente ne negociatat per gazjellesin e Trans Adriatic Pipeline

Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës (METE), Nasip Naço deklaroi të martën, se pas një garë ndërkombëtare është përzgjedhur kompania Roland Berger si konsulente e Shqipërisë në negociatat për gazjellësin e Trans Adriatic Pipline (TAP).

Në një konference për shtyp, ku ishin të pranishëm edhe Ambasadorja zviceriane në Tiranë, Yvana Enzler si dhe përfaqësues të gazjellësit TAP dhe kompanisë Roland Berger, Naço theksoi se kjo kompani ka një eksperiencë mjaft të pasur për konsulenca dhe negociata në fushën e gazësjellësit.
"Kjo kompani do të këshillojë grupin negociator dhe qeverinë shqiptare në negociatat me konsorciumin e gazjellësit TAP, për të realizuar më së miri përfitimet që do të vinë nga ky investim i huaj prej rreth 1 miliard euro në Shqipëri", deklaroi ministri Naço.

Kreu i ETE-s, bëri të ditur se pas përfundimit me sukses të raundit të dytë të negociatave mes Shqipërisë dhe gazsjellësit TAP, palët negociatore diskutuan edhe mbi një marrëveshje ndërqeveritare nga vendet pritëse si Shqipëria, Greqia dhe Italia për gazësjellësin TAP.

Në përfundim, ministri Naço tha se "Shqipëria po bën maksimumin për realizimin këtij projekti me përmasa ndërkombëtare dhe jemi optimist se edhe në ditët në vijim do të kemi zhvillime të reja pozitive".

Ndërsa Ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Yvana Enzler, në emër të qeverisë që përfaqëson, deklaroi se "ne kemi dhënë një kontribut financiar prej 2 milionë euro, për të asistuar qeverinë shqiptare në fushën e infrastrukturave të mëdha të gazit dhe ku sot lançojmë përzgjedhjen e kompanisë konsulente Roland Berger".
Ajo theksoi se 'qëllimi kryesor i qeverisë zviceriane dhe asaj norvegjeze është të asistojë më anë të një kontributi qeverinë shqiptare për të rritur kapacitetet në fushën e energjisë dhe sidomos në infrastrukturën e mëdha të gazit.

Nga ana tjetër, Barnim Piechorovski, Përfaqësuesi i Konsorciumit TAP AG, vuri në dukje se "projekti TAP është duke garuar në Azerbajxhan për të sjell gaz natyror nga Azerbajxhani në Greqi, Shqipëri dhe për ta shpërndarë përtej Adriatikut, në Itali dhe Europë".

Ai deklaroi se "nëse ky projekt përzgjidhet përfitues në Azerbajxhan, atëherë Shqipëria nuk do të përfitojë jo vetëm si një vend tranzit, apo një vend qendror për vendosjen e infrastrukturave të mëdha të gazit, por do të shndërrohet në një aktor kryesor për tregun e gazit në Europë si dhe për të diversifikuar burimet e saj energjetike".

Në konference, ishte i pranishëm Prof. Friedbert Pflueger, përfaqësues i ROLAND BERGER dhe Ish-Sekretar i Mbrojtjes së Gjermanisë.
"Jemi shumë të lumtur që qeveria shqiptare na ka dhënë besimin e saj, për të marrë pjesë në këto negociata", tha Pfluege, në emër të kompanisë, ku ai aderon.

Sipas tij, realizimi i projektit do të ishte një arritje e madhe, jo vetëm për Shqipërinë, e cila do të kthehej në një pikë kyçe për kalimin e gazit në Europë, por edhe për Europën, në kuadër të diversifikimit të burimeve energjetike.

Pflueger, mbylli fjalë e tij duke prezantuar shkurtimisht firmën Gjermane të konsultave Roland Berger.

Rolan Berger Strategy Counsolting, është një kompani konsultimesh gjermane me një eksperincë të gjerë ndërkombëtare në fushën konsultimeve. Themelimi i saj daton në vitin 1967, dhe ëshë një lider botëror në fushën e ku ajo operon. Gjigandi gjerman i konsultave, ka 45 zyra dhe një staf prej 2,500 punonjësish, në më shumë se 33 vende në të botës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›