Naço: Sektorit privat prioritet i qeverisë

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, zhvilloi sot një vizitë në disa kompani në Durrës, të cilat janë financuar nga linja e kredisë prej 25 milion euro e programit italo-shqiptar për zhvillimin e SME-ve në Shqipëri.
Së bashku me ministrin Naço, në këtë vizitë ishte dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Massimo Gaiani dhe Drejtori i Kooperacionit Italian për Zhvillim, Andrea Senatori.
Ministri Naço dhe ambasadori Gaiani vizituan kompanitë Tetra Solution sh.p.k, kompani e Teknologjisë së Informacionit, dhe Coral sh.p.k, kompani prodhim dhe përpunim prodhime deti.
Në fjalën e tij, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës falënderoi qeverinë italiane dhe zyrën e saj të bashkëpunimit me Shqipërinë, për mbështetjen financiare në kuadër të Programit të Zhvillimit të SME-ve në Shqipëri.
Ministri Naço u shpreh se, zhvillimi i sektorit privat, e në veçanti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, është një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare.
Për ekonominë e vendit tonë është me rëndësi që ndër përfituesit e skemës së dhënies së kredive të programit të jenë edhe sipërmarrjet e teknologjive të informacionit. Këto kompani të vogla dhe të mesme e kanë treguar veten, sidomos gjatë dy-tre viteve të fundit, dhe me zbatimin e projekteve ambicioze të qeverisë për shtrirjen e komunikimit me internet në të gjithë vendin, të jenë në pararojë të zhvillimit të biznesit”,- u shpreh Naço.
Nga ana e tij, ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani shprehu edhe një herë vendosmërinë e qeverisë italiane për të mbështetur Shqipërinë dhe ekonominë e saj drejt zhvillimit të mëtejshëm.