Qerimaj: Nuk kam përdorur lëndë të ndaluara

Erkand Qerimaj
Kampioni i Evropës, Erkand Qerimaj reagoi pas rezultateve të kontrollit të parë antidoping in competition që i është nënshtruar në Evropianin e Antalias më 12 prill, ku rezultoi pozitiv.
Gjatë një konference për shtyp, Qerimaj tha se është duke e pritur me qetësi vendimin e Apelit të Federatës Botërore të Peshëngritjes, ndërsa sqaroi se; Bëra testin e parë më 4 prill dhe rezultova i pastër. Por tetë ditë më vonë, pikërisht në ditën e garës, iu nënshtrova testit të dytë, ku çuditërisht rezultova pozitiv. Edhe më 12 prill kam deklaruar konsumimin e të njëjtës vitaminë si në katër prill. Këtë e kam deklaruar edhe në formularin e plotësuar dhe në dijeninë time, kjo lëndë nuk ishte e ndaluar.
Qerimaj shtoi se është duke u stërvitur për pjesëmarrjen në Olimpiadën e Londrës ky synon të sjellë në Shqipëri një medalje olimpike.
Në shkresën zyrtare të dërguar më 4 maj nga këshilltarja ligjore, Monika Ungar, (e njëjta që informoi palën shqiptare për rastin me doping të Shqiponja Brahjas) thuhet se pas testeve të bëra në urinën e Qerimajt është gjetur Methylhexanamine.
Me keqardhje të madhe duhet tju njoftojmë rezultatet e analizës urinare të zotit Erkand Qerimaj (Kodi numër 268 58 32) bërë më datë 12 prill 2012, të vlefshme në Kampionatin Evropian në Antalia, Turqi, (kualifikuese). Sipas analizës laboratorike, në mostrën urinare të sportistit është gjetur Methylhexanamine (S6.Stimulant). Sipas rregullores së substancave të ndaluara dhe listës së metodave të Agjencisë Botërore të AntiDopingut, prezenca e këtij steroidi anabolik në urinë konsiderohet si thyerje e ligjeve të sipërpërmendura. Sportisti gëzon të drejtën të kërkojë kryerjen e analizës B. Nëse nuk bëhet kërkesë zyrtare për analizën e dytë, atëherë ajo nuk kryhet. Është gjithashtu e drejta e sportistit, apo federatës që të jenë prezent gjatë kryerjes së analizës B, gjithnjë nëse kërkohet që ajo të kryhet. Të gjitha kostot e kësaj analize (përfshirë dhe shpenzimet e udhëtimit) paguhen nga sportisti ose federata. Ju lutem informoni sekretariatin e Federatës Botërore të Peshëngritjes (IËF), nëse dëshironi të kryeni analizën B, thuhej në shkresën zyrtare të adresuar sportistit në fjalë, Erkand Qerimajt, si dhe dy titullarëve më të lartë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, përkatësisht presidentit Esat Ademi dhe sekretarit të Përgjithshëm, Ilir Kraja.
Zyrtarisht me këtë dokument konfidencial, të cilin gazeta Panorama Sport mundi të sigurojë, është vënë në dijeni edhe Komisioni Kombëtar Antidoping. Pak ditë më parë, Ilir Suli ishte i fundit nga kuqezinjtë e shtangës që u përjashtua nga arena ndërkombëtare deri në 4 prill 2016 për doping, pasi rezultoi pozitiv me Methandienone, përpara Shqiponja Brahjas