Presidenti, Berisha takon Mediun: Procesi do jetë transparent
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ku kanë diskutuar për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
Berisha ishte shoqëruar nga Astrit Patozi dhe Edmond Spaho gjatë takimit me Mediun, ku edhe ky i fundit shoqërohej nga Arjan Madhi e Alfred Deshati.
Zgjedhja e kreut të ri të shtetit i ka mbledhur aleatët e koalicionit të djathtë në negociata për të gjetur një konsensus sa më të gjerë lidhur me kandidaturën e mundshme për këtë post. Pas takimit, Mediu u shpreh për mediat se u ra dakord për një proces serioz dhe transparent.
Kemi rënë dakord me Berishën për një proces serioz dhe transparent. Kur flasim për proces serioz kemi parasysh kriteret që duhet të këtë presidenti, ndërsa transparenca lidhet me mënyrën e procedimit në Parlament. Me rëndësi mbetet procesi i zgjedhjes, por mbi të gjitha qëndron Kushtetuta, tha Mediu.
Pas takimit me Mediun, Berisha do të takohet me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. /E.L/