Nafta, PD: Rama i dëshpëruar për humbjen e parave

Partia Demokratike iu përgjigj akuzave të shefit të opozitës për skandalin e kontrabandës së naftës virxhin, duke e akuzuar kryesocialistin Edi Rama se është i dëshpëruar për humbjen e parave që përfitonte nga kjo kontrabandë.
Në një konferencë për shtyp Zëdhënësja e Partisë Demokratike Albana Mustafaraj theksoi se kreu i bllokmenëve të rinj sërish shprehu dëshpërimin e tij për goditjen e kontrabandës së naftës “Virgine”, të cilën qeveria e tij e shiti për 8 vite rresht firmave me paratë e të cilave paguan protestat por edhe mediat që vetë ai kontrollon.
Ajo e cilësoi tejet të paskrupullt dhe cinik dëshpërimin e Kryetarit të Partisë Socialiste për ruajtjen e shëndetit të shqiptarëve, duke nënvizuar se ai që ndoti Tiranën vetë jeton në ajër të pastër.
“Sot kreu i bllokmenëve të rinj që vetë banon në Pezë, larg ndotjes së tmerrshme që ka krijuar në Tiranë, derdhi lot krokodili për shëndetin e kryeqytetasve, pasi ka shndërruar këtë qytet sipas Agjensisë Evropiane të Mjedisit, në qytetin me ndotje më të lartë në Evropë, ndotje që po sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me sëmundjet e rënda që shkakton, ka shkurtuar jetën e banorëve të qytetit me rreth 2 vjet”, nënvizoi zonja Mustafaraj.
Duke iu referuar zgjedhjeve vendore të 8 majit, Mustafarj theksoi se 8 maji është dita për t`i dhënë përgjigjen e merituar zotit Rama, njeriut që ngriti me lejet e ndërtimit në Tiranë, monumentin më grotesk të korrupsionit, dhe shpalli kryeqytetin shqiptar si qytetin me ndotjen më të lartë në Evropë.