E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, fond për kreditë e fermerëve

Kriza e çmimeve për artikujt ushqimorë e detyroi qeverinë që për herë të parë këtë vit të vendosë financimin e kredive për fermerët. Ndonëse me një fond modest prej 60 milionë lekësh, ky është hapi i parë ku Ministria e Bujqësisë, përmes programit 2KR, merr përsipër të paguajë një pjesë të interesave të kredive që marrin fermerët në bankat private. "Udhëzimi për financimin e interesave të kredive për bujqësinë është miratuar në shkurt të këtij viti. Në kuadër të skemës së subvencionimit të bujqësisë për vitin 2008, është parashikuar që të aplikohet për herë të parë mbështetje edhe për kreditimin e fermerëve, duke subvencionuar interesin e kredive të tyre në banka", thonë burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Sipas tyre, përmes kësaj skeme subvencionimi, me një buxhet prej 60 milionë lekësh, parashikohet të financohen interesat e kredive jo më të vogla se 10 milionë lekë dhe interesi që subvencionohet për një kredi nuk mund të jetë më shumë se 2 milionë lekë. "Ne marrim përsipër që të financojmë 6 për qind të interesit bankar. Pra, nëse një kredi është me interes 10 për qind, ne paguajmë 6 për qind të tij, ndërsa fermeri vetëm 4 për qind", thonë burimet nga MBUMK.

Skema nuk funksionon

MBUMK ka informuar bankat e nivelit të dytë që operojnë në tregun vendas për realizimin e këtij bashkëpunimi, ndërkohë që brenda muajit qershor do të mbyllë fazën e aplikimit të fermerëve për projektet që duan të realizojnë në përpunim, grumbullim apo tregtim të produkteve bujqësore. Por, pavarësisht kësaj, pranë Ministrisë së Bujqësisë nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga ana e fermerëve për subvencionim kredie. Ministria e Financave ka vendosur si kusht, që një fermer të përfitojë nga kjo skemë, se kredia nuk mund të jetë më e vogël se 10 milionë lekë. Kjo pengon edhe fermerët që të përfitojnë nga skema, pasi kreditë e tyre nuk janë asnjëherë kaq të mëdha. Për rrjedhojë, skema ka pak gjasa që të funksionojë kështu siç është, nëse ajo nuk do të modifikohet. "Kjo nuk është në kompetencën tonë, pasi është Ministria e Financave ajo që vendos kriteret e shpërndarjes së parave", thonë zyrtarë të MBUMK-së.

Bujqësia

Në fillim të viteve ‘90 përbënte 50 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, duke qenë padyshim dega kryesore e ekonomisë shqiptare. Sot, 18 vjet më vonë, pesha e sektorit bujqësor në PBB është përgjysmuar. Bujqësia nuk po rritet me të njëjtat ritme si degët e tjera të ekonomisë. Investimet në sektor kanë qenë minimale dhe për shkak të normave të ulëta të fitimit, por edhe pamundësisë financiare të fermerëve. Këta të fundit nuk kanë mundësi të marrin as kredi nëpër banka, për shkak se normat e ulëta të fitimit nuk garantojnë kthimin e tyre. Sipas të dhënave zyrtare, bujqësia thith aktualisht vetëm 2 për qind të kredisë totale të ekonomisë, kur punëson më shumë se gjysmën e popullsisë aktive dhe jep gati 23 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Specialistët me kohë kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të lehtësuar këtë situatë, përmes marrjes përsipër të interesave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›