E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkohet Ndoka – demokristianët premtojnë shkëputjen e partisë nga pazaret

Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Demokristiane i cili ka filluar punimet dje merr vendimin për shkarkimin e kreut të PDK-së Nard Ndoka. Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Anton Gurakuqi, njëkohësisht zv/ministër i Punëve të Jashtme, ripërsëriti në Kongres kritikat ndaj kryetarit aktual të kësaj partie, Nard Ndoka, pasi, sipas tij, “Ndoka ka shkelur statutin dhe programin e PDK-së , si dhe ka vendosur diktat në drejtimin e partisë”. Një pjesë e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të kësaj partie, mes të cilëve dhe Gurakuqi, kanë mbledhur dje në mjediset e Akademisë së Arteve në Tiranë, Kongresin e Jashtëzakonshëm të PDK-së, ku pritet të votohet dhe për shkarkimin e kryetarit Ndoka, i cili mban dhe postin e Ministrit të Shëndetësisë. Në këtë kongres marrin pjesë 325 delegatë ose 2/3 e tyre, numër ky i mjaftueshëm për të marrë vendime në kongresin e partisë. “Ndër objektivat e këtij kongresi është për të rikthyer legjitimitetin në PDK, përmirësimi i linjës së PDK-së si parti e qendrës së djathtë”, tha z. Gurakuqi. Ai nënvizoi se “zgjidhjet që duhet të ofrojmë në këtë kongres duhet të jenë reale, me një moral të ri, pasi kohët e fundit liria e mendimit u deformua me denigrimin e figurave qendrore të PDK-së nga Nard Ndoka”. Gurakuqi cilësoi në fjalën e tij, se Ndoka përbën një fenomen në jetën politike dhe të ekzekutivit shqiptar. “Kohët e fundit, PDK po jep imazhin e një partie pazaresh, ndaj ne jemi këtu për t’i thënë ndal Ndokës, pasi beteja mes vlerave dhe antivlerave ka filluar. Ikja e atyre që nuk kanë asnjë vlerë në politikën shqiptare, si Ndoka, e bënë PDK-në më të madhe”, përfundoi anëtari i kryesisë së PDK-së, Anton Gurakuqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›