E Diel, 1 Nëntor 2026

Wilson: Të zgjaten dënimet për kriminelët

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fraser Wilson, ka dhënë disa mesazhe të forta dje në emër të shtetit të tij. Së pari, ai bëri thirrje dje për forcimin e dënimeve ndaj kriminelëve të dënuar dhe sekuestrimin e pasurive të tyre. Përgjatë një takimi të organizuar nga Forumi për Demokraci dhe Etikë, ambasadori Wilson konstatoi se dënimet ndaj veprave kriminale dhe të korrupsionit duhet të forcohen. “Ne duhet të rrisim kohëzgjatjen e dënimeve për kriminelët që burgosen dhe të konfiskojmë pasuritë e tyre, në mënyrë që kur ata të dalin nga burgu, të mos mund të përdorin asete që i kanë përfituar në mënyre kriminale”, - deklaroi ai. Ndërsa në mesazhin për politikën, ai kërkoi më shumë konsensus. Wilson u shpreh se palët politike duhet të jenë të matura në diskursin publik dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për batimin e reformave. “Opozita gjithashtu duhet të luajë rolin e saj. Politikanët e të gjitha krahëve duhet të punojnë bashkërisht për zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin e vendit, pasi ato janë në interes të vendit. Debati politik dhe kompeticioni mes opozitës dhe qeverisë është i padiskutueshëm në një sistem demokratik. Por ai duhet të zhvillohet brenda roleve të lojës, me maturi dhe transparencë”. Ai bëri thirrje për një kalim të shpejtë të Kodit Elektoral, pasi ai të jetë diskutuar gjerësisht në Parlament. “Tani kërkohet shpejtësi për ta bërë gati atë përpara zgjedhjeve. Por kjo duhet bërë me anë të diskutimeve në Parlament. Legjislacioni që ka kaluar pa diskutim nuk është dhe aq i mirë”. Ambasadori Wilson përçoi dhe një mesazh për të gjithë politikanët shqiptarë, duke u kërkuar atyre që të përcjellin imazh të mirë në publik. “Bojkotimi i vazhdueshëm i Parlamentit duhet t’i përkasë së shkuarës. Anëtarët e Parlamentit shqiptar duhet ta kuptojnë se mënyra se si ata sillen është mesazh jo vetëm për ata ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj njerëzve të thjeshtë dhe komunitetit ndërkombëtar”. Ambasadori Wilson bëri thirrje që të kihet shumë kujdes me shërbimin civil, duke shprehur dhe shqetësimin për ndryshimet në administratë për motive politike, nga të dyja krahët politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›