E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta, çmimi në bursë zbret, në Shqipëri ngrihet



Kur çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare shënonte rekorde nga dita në ditë, e njëjta gjë reflektohej edhe në pikat e tregtimit me pakicë në Shqipëri. Kur kulmi në bursën ndërkombëtare arriti në 145 dollarë për fuçi, tregtarët shqiptarë sapo e dëgjuan lajmin në televizione, nxituan ta çojnë çmimin në 170 lekë për litër. Po në Shqipëri çmimi vazhdon të qëndrojë sipas reflektimeve që pati në kulmin e rekordeve botërore, pavarësisht se në bursat e Amerikës e Evropës çmimi i naftës po pëson ulje nga dita në ditë. Siç duket në këtë rast, tregtarët shqiptarë nuk kanë “dëgjuar ende” se ç’bëhet në botë dhe vazhdojnë të penalizojnë konsumatorin shqiptar, që paguan naftën më shumë se një qytetar i Evropës Perëndimore, ndonëse të ardhurat mujore i ka minimale krahasuar me ta. Prej më se dy javësh ka nisur të zbutet çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare, por ky efekt nuk ndihet në tregun vendas. Tregtarët justifikohen se kanë ende në depozitat e tyre naftën që kanë importuar me çmim të lartë, ndaj dhe ende s’kanë filluar ta ulin. Ndryshe ndodh kur çmimi në bursë pëson rritje, tregtarët vendas nxitojnë të ndryshojnë minutë pas minute, tabelat ku ekspozohet çmimi i karburanteve, se normal para një ore ai është rritur në bursën e Londrës apo Amerikës. Prej disa ditësh nga tregjet ndërkombëtare lajmërohet rënie e ndjeshme të çmimit të uljen e çmimeve. Por kjo nuk është reflektuar ende në vendin tonë. Nafta vazhdon të shitet në tregun me pakicë 165-170 lekë për litër. Çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare pëson ulje, ndërsa në Shqipëri tregtarët vazhdojnë të mbajnë çmimin e njëjtë që ishte në kohën kur një fuçi naftë ishte 146 dollarë. Çmimi i naftës në bursën e Nju Jorkut është kuotuar dje me 120 dollarë për fuçi. Për herë të parë pas muajit maj, kur treguesit ekonomikë në SHBA sinjalizuan dobësimin e ekonomisë. Në Nju Jork çmimi ka rënë me një dollarë e 10 cent, duke shkuar në 1 120.31 dollarë për fuçi, ndërsa në Londër zbriti në 119.58 dollarë për fuçi. Gjithashtu, rënie ka pësuar edhe në tregun aziatik. Një prej faktorëve që siç parashikojnë specialistët që ka ndikuar në uljen e çmimit të naftës është stuhia “Eduard” në SHBA, e cila parashikohet të marrë forcë e të shndërrohet në uragan. Gjithashtu, shpenzimet e ulëta të konsumatorit amerikan kanë shtuar frikën se kërkesa për naftë do të ulet. Analistët janë të mendimit se uria e kërkesës dhe shpresa për më shumë furnizim po peshon në treg, megjithëse se gjeopolitika dhe moti po bëhen më të egër. Në uljen e çmimit të naftës ka ndikuar edhe fjalimi i kandidatit për shtëpinë e bardhë, Barack Obama, i cili propozoi shitjen e 70 milionë naftë nga rezervat strategjike, të SHBA-ve për të ulur çmimin e naftës në Treg.

Nënshkruhet kontrata për segmentin rrugor Levan-Tepelenë

Në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit u nënshkrua dje kontrata për fillimin e punimeve për ndërtimin e segmentit rrugor Levan-Tepelenë, pjesë e korridorit veri-jug. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i PPTT-së, Sokol Olldashi, si dhe përfaqësues të kompanive italiane TODINI CONSTRUZIONI GENERALI, si dhe asaj austriake Alpine Bau Gmbh. Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ministri i PPTT-së Sokol Olldashi u shpreh se domosdoshmëria e ndërtimit të këtij aksi rrugor erdhi nga rritja e ndjeshme e trafikut e kohëve të fundit. "Përveç përfitimeve direkte në shkëmbimin transit të mallrave drejt qendrave të banuara në jug e më tej drejt Greqisë dhe anasjelltas, rruga e re do të sjellë një lidhje më të mirë me zonën dhe pjesën tjetër të vendit", - theksoi ministri Olldashi. Sipas z.Olldashi, ndërtimi i kësaj rruge do të lejojë banorët e fshatrave të vogla të disponojnë të gjitha lehtësirat për akses të shpejtë në qendrat e zhvilluara, si dhe do të gjallërojë ekonominë lokale dhe bizneset e vogla përgjatë infrastrukturës.

Segmenti rrugor Levan-Tepelenë është pjesë e korridorit veri-jug që shtrihet nga Hani i Hotit në kufirin shqiptaro-malazez në veri deri në Kakavijë në kufirin shqiptaro-grek në jug. Punimet e ndërtimit për këtë aks do të zgjasin 30 muaj dhe do të përfshijnë ndërtimin e 50 urave, 48 veprave të vogla arti dhe volume për zërat kryesore. Ky segment financohet nga një kredi prej 70 milionë eurosh akorduar nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Seksioni Levan-Tepelenë paraqet një rrugë me gjatësi 70 km e projektuar nga kompania Scetaourute me dy kalime, sipas standardeve evropiane të rrugëve nacionale. Gjerësia e asfaltuar e rrugës do të jetë 10.5 m. Segmentit rrugor Levan-Tepelenë është i ndarë në dy lote, loti I, Levan-Damës me gjatësi 37.5 km me vlerë 39.1 milion euro, dhe loti II Damës-Tepelenë me gjatësi 32.5 km dhe vlerë 28.6 milion euro. Shpejtësia e parashikuar varion nga 80 deri në 100 km. Në seksionin e parë Levan-Damës, punimet do të kryhen nga firma Italiane TODINI CONSTRUZIONI GENERALI, ndërsa për seksionin e dytë nga Damës në Tepelenë punimet do të kryhen nga firma austriake Alpine Bau Gmbh.

Mbikëqyrja e punimeve me financim nga Delegacioni i Komisionit Evropian me vlerën 2.6 milionë euro do të kryhet nga bashkimi i kompanive italiane Technital & Tecnic & Stretto di Messina. Trafiku ekzistues në këtë aks është 3500 mjete në ditë, ndërsa në vitin 2015 trafiku në aksin Fier-Tepelenë parashikohet të arrijë në 6000 mjete në ditë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›