E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eagle Mobile”, shërbim lehtësues për gazetarët

“Eagle Mobile” ofron shërbime lehtësuese dhe tarifa me leverdi për gazetarët.

Gazetarët e anëtarësuar në Unionin e Gazetarëve të Shqipërisë do të mund të flasin me tarifa të lira dhe kjo falë marrëveshjes që është arritur mes kompanisë “Eagle Mobile” dhe Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë. Në fakt ka qenë Unioni që i është drejtuar të gjithë operatorëve celularë që operojnë në vend për të arritur një marrëveshje të tillë, por përgjigja pozitive ka ardhur vetëm nga kompania "Eagle Mobile” për ofertë favorizuese për gazetarët profesionistë. Kërkesave publike dhe apelit për një aktmarrëveshje mes Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë dhe kompanive të shërbimeve të ndryshme, qofshin ato private apo publike, kompania e telefonisë celulare “Eagle Mobile” i është përgjigjur pozitivisht. Në një takim zyrtar mes drejtuesve të kompanisë dhe drejtuesve të Unionit të Gazetarëve, është arritur zgjedhja e një oferte e vlefshme për gjithë gazetarët, anëtarë të Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, brenda së cilës përfshihen jo vetëm lehtësira financiare, por pasurohen edhe llojet e shërbimeve të cilat janë të nevojshme për shërbimin profesional ditor të gazetarit. Drejtuesit e degëve të Unionit të Gazetarëve në Tiranë dhe në të gjitha qytetet e vendit, do të kontaktojnë zyrtarisht për aplikimin nominal të kësaj oferte, mbi bazën e marrëveshjes së arritur. Kjo ofertë e përcjellë për kategorinë profesionale të gazetarëve, është e para, që ofrohet në këtë mënyrë, nga një kompani e cila mbulon shërbime në këtë lloj infrastrukture të komunikimit. Përgjigjja pozitive prej kësaj kompanie erdhi pas adresimit publik që Unioni i Gazetarëve bëri në fillim të këtij viti në nismën e tij “Viti i solidaritetit për vetveten”. Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh vlerësimin e vet për këtë mirëkuptim të dëshmuar prej kësaj kompanie dhe beson se kompani të tjera, si dhe institucione të tjera që ofrojnë shërbime publike, do të dëshmojnë të njëjtin mirëkuptim dhe do të ofrojnë oferta të reja lehtësuese për komunitetin tonë, i cili është në shërbim të publikut dhe ka merita të pazëvendësueshme në forcimin dhe ruajtjen e lirive themelore dhe të demokracisë së shoqërisë shqiptare.

“Eagle Mobile”, tarifa të reja dhe internet në gjithë rrjetin në gusht

Kompania e tretë celulare në Shqipëri, “Eagle Mobile”, katër muaj pas daljes zyrtare në treg me sinjal dhe një muaj pas lançimit të markës, ka arritur shtrirjen që garanton mbulim për të gjithë qytetarët shqiptarë. Kjo është bërë e ditur dje nga burimet zyrtare të “Eagle Mobile”, sipas së cilave, brenda muajit gusht do të publikohen tarifat e reja të kësaj kompanie. Më se 22 inxhinierë të teknologjisë së lartë dhe rreth 500 punonjës punuan për ngritjen e pikave dhe antenave transmetuese, me të cilat jo vetëm që garantohet një mbulim cilësor i zonave të banuara dhe të gjitha rrugëve rajonale dhe kombëtare, por edhe sigurohet mbulimi me internet të shpejtësisë së lartë bazuar në teknologjinë EDGE. Teknologjia EDGE është 5 herë më e shpejtë se ajo që përdoret aktualisht GPRS. Është hera e parë që një operator celular në Shqipëri, çon mundësinë e përdorimit të internetit, shkëmbimit të të dhënave dhe mesazheve elektronike (e-mail) në gjithë zonën e mbulimit në territorin e vendit. Gjithashtu, me shërbimin më të ri, me kartën “Eagle EDGE USB”, çdokush mund të lidhet me internetin nëpërmjet kompjuterit në të gjitha zonat që mbulohen nga “Eagle Mobile”. Kjo kartë është e përshtatshme edhe për teknologjinë 3G. Aktualisht ka një shpejtësi prej 236 KBPS, por me teknologjinë 3G kjo shpejtësi arrin në 7.2 MBPS. Por “Eagle Mobile” dhe ekipi i saj i Teknologjisë së Lartë do të vazhdojë edhe gjatë muajit gusht me optimizmin dhe zgjerimin e rrjetit për të rritur kështu edhe kapacitetin. Gjithsesi, të dhëna më të detajuara jep drejtori i shitjeve në “Eagle Mobile”, Melik Karabiyikoglu, i cili thotë se “Eagle” është një markë që ka si parim dhënien e një shërbimi që ka në fokus klientin, shërbimin cilësor, ekonomik dhe pa probleme. Ky parim sjell me vete edhe përgjegjshmërinë. Ne kemi ndërtuar kanalet e shpërndarjes në mënyrë të kujdesshme dhe duke i shtrirë në kohë. “Qëllimi ynë ishte që abonentët tanë të kishin mundësi të punonin me dyqane dhe pronarë të tyre që u japin rëndësi këtyre abonentëve po aq sa edhe ne. Tashmë “Eagle Mobile”, është në gjendje që të japë shërbime në të gjithë vendin, dhe është fokusuar tashmë në rritjen e numrit të dyqaneve dhe pikave të shitjes, duke ndërtuar një rrjet të gjerë dhe funksional. Pas një bashkëpunimi që kemi bërë me Alpet, abonentët tanë mund të gjejnë në stacionet e kësaj kompanie karta rimbushëse për numrat me parapagesë. Qëllimi ynë është që brenda muajt gusht të çelim 20 dyqane dhe qindra pika shitjeje dhe të arrijmë te konsumatori shqiptar sa më lehtë nëpërmjet këtij rrjeti”, - thotë zoti Karabiyikoglu. Ai shton se pas lançimit të tarifave Proring, nisur edhe nga interesi i madh i treguar nga institucionet dhe individët, në muajin gusht jemi të sigurtë se do të ofrojmë për qytetarët tanë edhe tarifat e reja individuale që do të jenë po aq tërheqëse dhe të përshtatshme për ta. “Eagle Mobile” konfirmon zyrtarisht se aktualisht mbulon më se 80.55% të territorit të Shqipërisë dhe 95.7% të popullsisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›