Nafta, plotësimi i standardeve të cilësisë do të zgjerojë tregun
Nafta e prodhuar në vend aktualisht zë rreth 20 për qind të tregut. Rritja e cilësisë së saj duke ulur niveli e squfurit, pa dyshim do të ishte një arsye e fortë që nafta shqiptare të zgjeronte pozicionin që ajo ka aktualisht në tregun shqiptar. Specialistë të hidrokarbureve bëjnë të ditur se vendimi i fundit i qeverisë, për rritjen e cilësisë së naftës pas viteve 2010, do të përmirësojë dukshëm jo vetëm teknologjinë e përpunimit, por edhe do të ndryshojë raportin që ka aktualisht tregu mes naftës shqiptare dhe asaj të importit. Mbetet vetëm që kompanitë që merren me përpunimin e naftës, të investojnë për përmirësimin e teknologjisë, e cila do të sillte një përpunim më të mirë të naftës dhe përmirësimin e cilësisë së saj. Vetëm pak ditë më parë qeveria miratoi një vendim sipas së cilit përmbajta e squfurit në naftën e përpunuar duhet të vijë duke u ulur nga viti në vit, nisur nga viti 2010. Ky vendim përcakton kriteret që duhen plotësuar për cilësinë e naftës që do të tregtohet që nga 1 janari i vitit 2010. Sipas këtij vendimi, lënda djegëse diezel, e cila në nomenklaturën e mallrave përshkruhet në kodin 27101941, e që plotëson kërkesat e standardit shqiptar S SH EN 590 ose të standardeve të tjera, të barasvlershme me të, e prodhuar nga rafinimi i naftës bruto, të nxjerrë në vendburimet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, do të lejohet të tregtohet sipas kushteve të përcaktuara, si nga vendimi i djeshëm i qeverisë. Vendimi thotë që duke nisur a) nga data 1 janar 2010, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse për motorët diezel, nuk lejohet të kalojë vlerën 350 mg/kg dhe përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk lejohet të kalojë vlerën 16% m/m. Po kështu, në bazë të këtij vendimi, duke nisur nga data 1 janar 2011, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse për motorët diezel, nuk lejohet të kalojë vlerën 150 mg/kg dhe përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk lejohet të kalojë vlerën 16% m/m. Gjithashtu, vendimi përcakton që duke nisur nga data 1 janar 2012, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse për motorët diezel, nuk lejohet të kalojë vlerën 10 mg/kg dhe duhet të plotësojë kërkesat e standardit shqiptar S SH EN 590 ose të standardeve të tjera, të barasvlershme me të. Nëse pas afateve të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” e “c”, të pikës 1 të këtij vendimi, vërehet tregtimi i lëndës djegëse diezel, me cilësi që nuk respekton kërkesat e këtij vendimi, lënda djegëse sekuestrohet dhe dërgohet në destinacionin e përcaktuar nga Inspektorati Qendror Teknik. Ngarkohet Inspektorati Qendror Teknik për kontrollin e zbatimit të këtij vendimi.