E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta dhe gazi natyror rriten sërish me 10 lekë për litër



Nëse para një jave me 1 mijë lekë një drejtues automjeti blinte rreth 7 litra naftë, tani ai blen një litër më pak, pra jo më shumë se 6 litra. Vetëm javët e fundit nafta shënoi rekorde rritjeje edhe në tregun vendas, nga 148 lekë për litër në 155 lekë për litër. Rritjen e çmimeve të karburanteve importuesit e mëdhenj e kanë interpretuar gjithnjë si një reflektim të pashmangshëm të rritjes së çmimit në bursë, por që nuk njeh asnjëherë kahun negativ. Rritja në bursë do të thotë se të gjithë do ta blejmë më shtrenjtë naftën dhe benzinën edhe në të ardhmen. Në këtë momente, askush nuk mund të parashikojë sesa do të jetë rritja e mundshme e çmimit të karburanteve, por nafta e cilësisë së parë, e njohur ndryshe si eurodizel rrezikon të kalojë 200 lekë për litër. Aktualisht, çmimi i naftës “D2” në tregun vendas ka arritur në 150 lekë për litër, ndërsa nafta eurodiesel ka arritur në 155 lekë për litër. Çmimi i benzinës nga ana tjetër është rritur sërish në 153 lekë për litër. Por një tjetër produkt alternativ, që përdoret nga pothuajse 70 për qind e familjeve shqiptare, sidomos për gatim është gazi i lëngshëm. Rritje është shënuar edhe për këtë produkt që është shitur me pakicë, me 10 lekë për litër më shtrenjtë. Sipas tregtarëve me pakicë, rritja ka ardhur nga tregtarët e mëdhenj, që sërish janë importues të mëdhenj të produkteve të naftës. Nëse kjo rritje e shfrenuar do të vazhdojë edhe në tregun vendas, atëherë ndikimi i drejtpërdrejtë do të ndihet në të gjitha mallrat e konsumit, siç është edhe buka, pasi blerja më shtrenjtë e naftës dhe nënprodukteve të saj do të rëndojë mbi xhepat e atyre prodhuesve në ekonominë e vendit, që e përdorin këtë lëndë.

“Fiera del Levante” çel sot dyert në Pallatin e Kongreseve në Tiranë

“Fiera del Levante” do të hapë dyert e saj sot në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, në edicionin e saj të tetë. Për katër ditë me radhë në këtë panair që do të organizohet në bashkëpunim me rajonin e Pulias, do të ekspozohen sektorë të ndryshëm si energjia, infrastruktura, produktet bankare, kultura, mjedisi, shërbimet për qytetarin dhe deri te sipërmarrja, bujqësia dhe produktet agroushqimore, ndërtimi, mobiliet dhe aksesorët për shtëpinë, “fashion”-i dhe mallra konsumi. Ekspozita do të ketë në qendër të saj fusha që prekin të gjithë sektorët parësorë të ekonomisë së Shqipërisë dhe të vendeve të tjera ndërkufitare si Mali i Zi, Kroacia, Serbia, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Greqia dhe Turqia. Ndërkohë që nuk do të mungojnë workshopet dhe takimet “business to business”, ku do të ftohen përfaqësues italianë dhe puliezë të institucioneve, të sektorit të sipërmarrjeve, të atij ekonomik, social- kulturor dhe kreditimit, që do të ballafaqohen me homologët e tyre shqiptarë. Në këtë panair jo rastësisht është përzgjedhur si nëntitull i manifestimit “Epërsia cilësore italiane për zhvillimin e Ballkanit”. Në këtë hapësirë Shqipëria është pikërisht vendi me më shumë lidhje historike me Italinë, ku më shumë se kudo tjetër është e përhapur gjuha italiane dhe në të cilin marrëdhëniet e hershme historike me Italinë përforcohen nga viti në vit. Italia është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë ku investimet mesatare të sipërmarrjeve italiane kapin një vlerë fillestare të deklaruar rreth 500 milion euro. Përqendrimi më i madh i tyre (rreth 75 për qind) regjistrohet ndërmjet Tiranës, Krujës, Durrësit dhe Kavajës. Vlora dhe Jugu i vendit përfaqësojnë 15 për qind të preferencave të investitorëve italianë, e cila zbret përfundimisht në 5 për qind në rrethet veriore të Shqipërisë (Shkodër, Pukë, Kukës etj.).

20 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›