E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni, prodhimi vendas frenon mosrritjen e çmimeve ushqimore



Ervin Koçi

Rritja e prodhimit vendas gjatë këtij sezoni ka bërë që çmimet e artikujve bujqësorë të mos pësojnë rritje të madhe, duke ruajtur një stabilitet të cunguar në tregun vendas. Edhe pse kjo gjë nuk ka ndodhur me artikujt e tjerë të konsumit, kryesisht me ata të importit, mund të thuhet se konsumatorët po blejnë produktet agrobujqësore, relativisht me çmime optimale. Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë kësaj jave, në krahasim me javën e kaluar, çmimet e rreth 50 për qind të artikujve bujqësorë kanë shënuar ulje. Nga të dhënat zyrtare rezulton se, në tregjet ushqimore të kryeqytetit, çmimet e perimeve të stinës, prodhim vendi, janë ulur me 2,9 lekë për kilogram. Ndërkohë që në Lushnjë apo Fier, zona me potencialin më të lartë të prodhimeve bujqësore, çmimet shënojnë ulje akoma më të ndjeshme. Specialistët e Bujqësisë vlerësojnë se politikat subvencionuese dhe mbështetëse të ndërmarra vitet e fundit nga MBUMK-ja për bujqësinë kanë dhënë impakt në rritjen e prodhimit vendas, që po reflekton ulje të çmimit të shitjes së tyre, por që në asnjë rast ky çmim nuk është nën kosto.

Niveli i çmimeve

Ulja e çmimeve të një pjese të produkteve ushqimore sipas specialistëve ka ardhur si pasojë e dominimit në treg të prodhimeve bujqësore sezonale të vendit (prodhim fushe dhe sere). Sipas MBUMK-së, rënia e çmimeve do të vazhdojë edhe javët e ardhshme, ku pritet një shtim i prodhimit bujqësor vendas si pasojë e vjeljes së shumë kulturave nga fermerët. Gjatë kësaj jave perimet e shitura më lirë vijnë nga qytetet e Lushnjës dhe të Fierit. MBUMK-ja ka evidentuar faktin se, në shkallë vendi ka një rritje të prodhimit të përgjithshëm bujqësor dhe blegtoral, e cila e koordinuar dhe me faktorin sezonal, po ndikon në uljen e çmimit të shitjes së këtyre produkteve në tregjet e vendit. Të dhënat zyrtare flasin edhe për prodhimet e bulmetit që shënojnë ndryshime çmimesh me tendencë ulje, kundrejt javës së kaluar. Kështu, djathi i bardhë është ulur me 2,1 lekë/kg, gjalpi 0,1 lekë/kg, etj. Ndërkohë, mishi i viçit tregtohet me 5,0 lekë/kg më lirë, mishi i deles 6,8 lekë/kg me shtrenjtë dhe mishi i qengjit është rritur me 5,3 lekë/kg. Në krahasim me javën e kaluar rezulton se, çmimi i frutave që janë në fillim të sezonit është rritur me rreth 2,3 lekë/kg. Po sipas të njëjtit burim, për produktet e tjera ne grupin e ushqimeve mish, bulmet, dhe ushqime te importit si vaj, makarona, etj, gjatë javës së fundit është ruajtur i njëjti nivel çmimi sa një javë më parë.

Çmimi i drithërave

Shqipëria po paguan 70 për qind më shumë se një vit më parë për të siguruar nevojat e saj me drithë nga importi. Të dhënat zyrtare konfirmojnë rritjen e fortë të importeve të drithërave e shkaktuar në pjesën dërrmuese nga rritja e çmimeve për këto produkte në tregjet ndërkombëtare. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Shqipëria importoi për katër muajt e parë të këtij viti rreth 32 miliardë lekë drithëra, nga 18 miliardë që kishte importuar për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në fakt, edhe në sasi, importet e drithërave kanë shënuar rritje duke arritur për këtë vit në 99 mijë tonë nga 87 që ishin një vit më parë. Kriza e çmimeve ka bërë që importet ushqimore të Shqipërisë shënojnë rritje të fortë për 4 muajt e parë të vitit, çka ka dhënë ndikime dhe në përkeqësimin e bilancit tregtar.

Importet me rajonin rriten me 4 miliardë lekë, eksportet me 1.5 miliardë

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Përbashkët të Tregtisë së Lirë, CEFTA, ka rritur edhe më tej deficitin tregtar që Shqipëria ka me vendet e rajonit. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet nga vendet e rajonit për 4 muajt e parë të këtij viti u rritën me 4 miliardë lekë, duke arritur në 29 miliardë lekë. Ndërsa eksportet u rritën vetëm me 1.47 miliardë lekë, ose gati 3 herë më pak. Shqipëria eksportoi në vendet fqinje për periudhën janar-prill 5.58 miliardë lekë. Ky fakt tregon edhe një herë se ekonomia jonë nuk është e aftë të konkurrojë as me fqinjët tanë, të cilët kanë një ekonomi gati të krahasueshme me ne. Për rrjedhojë Shqipëria nuk po arrin të përfitojë aq sa duhet nga tregtia e lirë dhe se vendet e tjera janë duke e shfrytëzuar më shumë heqjen e tarifave doganore. Deficiti tregtar i Shqipërisë me vendet e rajonit për katër muajt e parë të vitit ka arritur në 23.5 miliardë lekë.

20 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›