Tatimet gjobisin 23 subjekte private për mossigurimin e punonjësve
Të paktën 23 subjekte që ushtrojnë aktivitetin përgjatë Rrugës së Elbasanit janë penalizuar me gjoba për mosdeklarim të 128 punonjësve në organin tatimor, me vlerë 10 mijë lekë për secilin punonjës të padeklaruar ose me një shumë totale prej 1.280.000 lekësh. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bënë të ditur se Sektori Task-Forcë i Policisë Tatimore zhvilloi së fundi një kontroll që konsistonte në regjistrimin e subjekteve në organin tatimor dhe verifikimin e numrit të punonjësve të padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Të njëjta burime thanë se, gjatë këtij aksioni u kontrolluan 50 subjekte. Për një subjekt u propozua një gjobë prej 1.000.000 lekë, pasi drejtuesi i saj pengoi policinë tatimore në ushtrimin e kontrollit. Ndërsa për 5 subjekte të tjera u propozua kalimi në biznes të madh, pasi, sipas verifikimeve, i plotësonin kushtet për të kaluar si biznes me TVSH-ë. Për mos-regjistrim në organin tatimor u bllokuan 4 subjekte me veprimtari hotel dhe bar-restorant. Aksioni u ndërmor në vazhdën e kontrolleve të përditshme që bën ky sektor, me qëllim goditjen dhe parandalimin e punës së zezë në sektorin e shërbimeve (hotele, bare dhe restorante).
20 Maj 2008