E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta, e paguajmë 25% më shtrenjtë

Shqiptarët e paguajnë karburantin që marrin të paktën 25 për qind më shtrenjtë se çmimi real i saj. Konstatimi i radhës vjen nga grupimi i bizneseve industrialiste në vend, të cilat me anë të Konfindustria-s shprehin shqetësimin e mosfunksionimit si duhet të tregut, edhe në rastet kur ai paraqitet i liberalizuar.

Tregu shqiptar i karburanteve nuk po pasqyron si duhet rënien e ndjeshme të çmimit në tregjet ndërkombëtare. “Duhen marrë masat e menjëhershme dhe afatgjata për rregullimin e gjendjes nga institucionet shtetërore”, u shpreh dje administratori i Përgjithshëm, Gjergj Buxhuku.  

Bazuar në analizat krahasimore të çmimeve të tregjeve, del se çmimi i karburanteve në Shqipëri është të paktën 25% më i lartë, sesa duhet të ishte në kushtet e funksionimit të një tregu normal.

Analizat e mësipërme kanë mbajtur parasysh se brenda një periudhe pothuajse 3-mujore, çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare ka rënë në më shumë se 100% dhe njëkohësisht edhe vlerësimi i dollarit amerikan ndaj lekut, që nuk e kalon shifrën prej 25% gjatë të njëjtës periudhë.

“Çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen zinxhir të kostove të të gjitha prodhimeve dhe shërbimeve vendore, krahasimisht prodhimeve dhe shërbimeve të huaja, duke ulur më tej aftësinë konkurruese të industrive shqiptare, edhe kështu në shkallë të pakënaqshme.

Gjithashtu, çmimet e paarsyeshme e të larta të karburanteve ndikojnë negativisht në prodhimet bujqësore dhe në mirëqenien e gjithë qytetarëve shqiptarë”, thotë Buxhuku. Sipas tij, keqfunksionimi i vazhdueshëm i tregut të karburanteve në Shqipëri, në kushtet kur teorikisht kemi të bëjmë me treg të liberalizuar, mund të shpjegohet vetëm me ekzistencën në praktikë të marrëveshjeve të llojit “kartel” ndërmjet operatorëve të fushës.

Në kushte të tilla, roli i institucioneve shtetërore duhet të jetë vendimtar për të zhdukur pasojat nga gjendja e mësipërme dhe për të parandaluar në afatgjatë rikrijimin e gjendjeve të tilla të pakënaqshme.

Konfindustria, në kushtet kur shteti shqiptar me privatizimin e kompanisë publike “Armo” nuk ka më asnjë mjet për të ndërhyrë drejtpërdrejt për të rregulluar çrregullimet e tregut strategjik të karburanteve, kërkon ngritjen sa më shpejt të Entit Kombëtar të Karburanteve.

“Enti i mësipërm do të duhet të monitoronte në vazhdimësi dhe të ndërhynte për të rregulluar pikërisht çrregullimet subjektive të tregut të karburanteve, sikurse teorikisht bëhet edhe me tregje të tjera strategjike, sikundër janë telekomunikacionet dhe energjia”, sqaron përfaqësuesi i Konfindustrisë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›