E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, bllokohen 12 kilogramë drogë

Një operacion i Antidrogës, i organizuar nga Policia e Shtetit, ka sekuestruar 12 kg drogë në 24 orët e fundit, në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë.

Kështu, ditën e djeshme u bë i mundur sekuestrimi i 8 kg marijuanë të fshehur në një makinë me targa të Fierit, me destinacion vendin fqinj, Greqinë.

Nga ky aksion policia arrestoi një person nga qyteti i Beratit dhe është vënë në kërkim të trafikantëve të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.

Ndërsa dy net më parë, po në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, operacioni i Antidrogës vuri në pranga Blenard Gremin nga Zharrëza e Fierit, sepse gjetur në makinën e tij rreth 4 kg heroinë.

Ky operacion i gjerë i policisë ka filluar të shtrihet në rrethe të ndryshme të Shqipërisë dhe po merr përmasat e një operacioni nga më të mëdhenjtë i realizuar në vitet e fundit për shkatërrimin e trafiqeve të drogës.

Marijuana

Burimet policore shpjeguan se mëngjesin e djeshëm është zhvilluar një operacion antidrogë në Kakavijë, ku është arrestuar një person nga Berati, i cili udhëtonte me një furgon për në drejtim të Greqisë.

Në kabinën e makinës, në një çantë të zezë, policia ka gjetur 8 kg lëndë të dyshuar marijuanë, e cila mendohet se ishte destinuar për trafik.

Megjithatë, zyrtarisht policia nuk ka dhënë asnjë deklaratë në lidhje me këtë operacion. Nga të dhënat operative mësohet se operacioni ka vijuar edhe gjatë orëve të pasdites dhe është shtrirë në disa qytete të vendit.

Gjithashtu, policia shqiptare ka kërkuar edhe ndihmën e palës greke për të identifikuar pritësit e lëndës narkotike. Por, nga të dhënat mësohet se operacioni është shtrirë deri në orët e vona të mbrëmjes, ku janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë.

Megjithatë, policia nuk ka pranuar të identifikojë personat e dyshuar në këtë linjë trafiku.

Operacioni “Taksisti”

Katër kg heroinë janë bllokuar dy net më parë nga Antidroga, ndërkohë që në prangat e policisë ka përfunduar një taksist, i cili është kapur duke e trafikuar lëndën narkotike drejt Greqisë.

Blenard Grembi është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, teksa udhëtonte me mjetin e tij taksi. Ndërkaq, policia ka nisur kërkimet për organizuesit e kësaj linje trafiku.

Burimet zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se një sasi prej 4 kg heroinë është kapur mëngjesin e së enjtes në Kakavijë.

Transportuesi i sasisë narkotike kishte për qëllim të kalonte drejt Greqisë pa u vënë re nga kontrollorët shqiptarë në Kakavijë. Policia shpjegoi se gjatë operacionit të koduar “Taksisti” u bë i mundur arrestimi i Blenard Afrim Grembit, 26 vjeç, nga fshati Zharrëz i Rrethit Fier, me profesion taksist.

“Arrestimi i këtij personi është bërë pasi te Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë Gjirokastër, gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar prej tij u gjetën të fshehura në pjesën e brendshme të këtij mjeti 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me një peshë rreth 4 kg e 145 gramë”, tha policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e lëndës narkotike, automjeti “Mercedes Benz” me targë FR6541C, shuma prej 500 eurosh, 8000 lekë të reja, si dhe tre aparate celularë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›