E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta iraniane sabotohet nga Hacker-at

Industria iraniane e naftës sabotohet nga një virus kompiuterik. Për këtë arsye, Irani është detyruar të ndërpresë punën në disa rafineri dhe naftësjellës kryesorë në vend.
Virusi kompiuterik është ne gjendje të godasë sistemet e brendshme kompjuterike të kompanive të naftës, duke shkaktuar çrregullim dhe dëmtim në prodhim. Për të parandalaur këtë çrregullim, në disa impiante janë rikthyer në funksion sistemet manuale të punës.
Sulmi i virusit kompjuterik besohet se është përgjegjës edhe për nxjerrjen jashtë pune të disa uebsajteve të rëndësishme iraniane, midis të cilëve edhe ai i ministrisë së naftës dhe kompanisë kryesore të hidrokarbureve në vend.
Ministri konfirmoi se të dhëna të rëndësishme janë vjedhur si rrjedhojë e sulmit, por përjashtoi mundësinë që informacionet “top-secret” dhe ato më thelbësore të jenë prekur, pasi ato ruhen në një rrjet të veçantë.
Për t’iu kundërpërgjigjur sulmit, Irani ka ngritur një komitet të luftës kompiuterike, i cili duhet të punojë për të rritur mbrojtjen.
Irani është vendosur edhe më parë në shënjestër të sulmeve madhore kompjuterike, përfshi një të tillë në vitin 2010, i cili tentoi të godiste dhe të vidhte informacion nga teknologjia bërthamore në vend.
Teherani ka fajësuar për këto sulme të sofistikuara Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin, por nuk është në gjendje të identifikojë në mënyrë të provuar origjinën nga ka ardhur sulmi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›