E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holande i pari, balotazh me Sarkozi

Sarkozi dhe Karla Bruni, gjatë votimit

Përfundoi raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë, pjesëmarrje e lartë e votuesve.

Surpriza Le Pen, 1 në 5 francezë votuan për ekstremisten e djathtë.

Pritej që në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze do të shkonin Nikolas Sarkozi dhe Fransua Holande, por ajo që nuk dihej me siguri ishte triumfi i kandidates nga Fronti Nacional, Marine Le Pen, e cila mori rreth 19 për qind të votave.
Ajo nuk do të jetë garuese në raundin e dytë të 6 majit, pasi aty mund të shkojnë vetëm dy personat që kanë numrin më të madh të votave dhe ajo u rendit e treta. Por, hyri në histori sepse ka marrë përqindjen më të lartë që mund të ketë pasur partia e saj kur drejtohej nga i ati, dhe kjo do të thotë se do ti dëgjohet zëri në Francë, mbase edhe për vendimet që do të marrë lideri i ardhshëm i vendit. Raundi i parë i votimit përfundoi dje, me pjesëmarrje shumë më të lartë nga sa pritej, të rreth 44 milionë votuesve. Edhe në këtë raund Holande e mundi Sarkozinë. 29 për qind me 26 për qind, dhe pritet që në raundin e ardhshëm ai do të marrë edhe mbështetjen e votuesve të kandidatëve të tjerë humbës. Parashikimet deri tani janë që Holande do të marrë deri në 55 për qind të votave.
Surpriza Le Pen
Rekordi i Le Pen, e cila ka marrë ndërmjet 18 dhe 19 për qind të votave, krijoi sensacion në Francë. Ajo pritej të ishte shumë afër me rezultate me kandidatin e së majtës ekstreme, Zhan-Luk Melenkon, por ai u rendit i katërti me nëntë për qind më pak se ajo. Ndërsa kandidati Fransua Bayrou përfundoi në vendin e  pestë me më pak se dhjetë për qind. Le Pen e mori drejtimin e partisë së saj në fillim të vitit 2011. Në programin e saj ajo kërkonte vende pune të rezervuara për nacionalistët francezë në një kohë kur papunësia ishte 12 për qind. Partia Fronti Nacional ka politika të qarta kundër emigracionit, dhe jo vetëm. Mbështetja e Le Pen tregon një përkrahje dhe rritje të frymës popullore për eliminimin e monedhës së përbashkët europiane. Siç e ka përmendur shpesh në fushatë, Le Pen kërkonte daljen e Francës nga eurozona për të evituar rënie të mëtejshme ekonomike të vendit. Sondazhet kanë treguar se mbështetësit e saj përkrahin gjysma Sarkozinë dhe gjysma Holandenë gjatë raundit të dytë të votimit, por pritet deklarata e saj se kë do të mbështesë, për ti dhënë një shtysë vendimtare drejtimit që do të marrë votimi i ardhshëm. Vendimi i Le Pen do të jepet më 1 maj, vetëm atëherë zgjedhësit do të dinë se cilin përkrah ajo që u cilësua dje Opozita e vërtetë e Francës.
Çfarë mund të ndodhë

Holande në fjalimin pas publikimit të rezultateve paraprake

Nëse humbet në raundin e dytë, Sarkozi do të jetë lideri i 11-të i eurozonës që ndërrohet që kur nisi kriza e bllokut në vitin 2009 dhe Presidenti i parë francez që humbet rizgjedhjen në mandatin e dytë në më shumë se dy dekada. Holande, 57 vjeç, ka premtuar shkurtime më pak drastike të shpenzimeve dhe politika zhvillimi ekonomik. Ai ka vendosur të kërkojë taksa më të larta për të pasurit, për të ndihmuar fondin shtetëror për krijimin e vendeve të reja të punës, në veçanti rritjen me 75 për qind të tatimit për të ardhurat me mbi një milion euro. Ai do të ishte lideri i dytë i krahut të majtë në Francë që nga themelimi i Republikës së Pestë në vitin 1958, dhe i pari socialist që pas Fransua Miterrand, i cili mundi Valeri Giskard-d’Estaing në vitin 1981 dhe qeverisi deri në vitin 1995.
Fushata zgjedhore do të rinisë të hënën.
Pas votimit
Sarkozi, në fjalimin e tij pas votimit, propozoi tre debate me rivalin e tij, Holande gjatë fushatës së raundit  të  dytë të votimit, por Holande refuzoi. Sarkozi u shpreh i gatshëm për tiu përgjigjur pyetjeve të popullit. Ndërsa Fransua Holande, duke parashikuar një fitore për 6 majin, kërkoi angazhimin e të gjithë francezëve në zgjedhje. Ai premtoi ndryshim dhe tha se është kandidat i popullit francez që beson se interesi i përgjithshëm duhet të triumfojë mbi privilegjin. Ekstremisti i majtë, Melenkon dhe kandidatja e Partisë së Gjelbër që mori rreth 2 për qind të votave, kanë shprehur mbështetjen e tyre për Holande në raundin e ardhshëm.
Sondazhi i pare per raundin e 6 majit
Sipas një sondazhi të Ipsos Logica Business Consulting publikuar në Le Monde, në raundin e dytë të votimit Holande do të fitojë 54 për qind të votave përkundër Sarkozi, i cili do të marrë 46 për qind.

Gjoba
Nikolas Demorand i gazetës franceze Liberation, i cili debatoi mbi ligjin e heshtjes, ka deklaruar se respektimi i vendimit të autoriteteve franceze për të ndaluar publikimin e exit poll-ve përpara se të mbyllen plotësisht qendrat e votimit, eviton gjobën 375.000 euro, e cila mund të ketë pasoja të vërteta dhe serioze ekonomike, tha ai. Zyrtarisht është folur se gjobat mund të variojnë nga 70 deri në 90 mijë euro.

Pse shërbeu raundi I
Raundi i parë i votimit do ta çojë numrin e kandidatëve për President nga dhjetë në dy. Ata do të jenë Nikolas Sarkozi dhe sfiduesi i tij socialist Fransua Holande, dhe do të përballen në raundin e balotazhit, më 6 maj. Kandidatët e tjerë, sidomos Zhan-Luk Melenkon nga Front de Gauche, Marine Le Pen nga Front National, dhe Fransua Bayrou i partisë së qendrës, MoDem, shpresojnë të marrin sa më shumë vota për të treguar besimin për idetë e tyre dhe mundësisht ndikimin në axhendën politike të liderit të ardhshëm të vendit.

Rezultatet
Fransua Holande
28.8 për qind

Nikolas Sarkozi
26.1 për qind

Marine Le Pen
18.5 për qind

Zhan Luk Melenkon
11.7 për qind

Fransua Bayrou
8.8 për qind

Eva Zholy
2.3 për qind

Nikolas Dupont-Ainjan
1.8 për qind

Filipë Poutou
1.2 për qind

Natali Artaud
0.6 për qind

Zhak Sheminad
0.2 për qind

Gallata në ueb për ligjin e heshtjes

Pseudonime për kandidatët e komunikime të stilit radiofonik të Luftës II Botërore
Në garë, Trëndafili, Gulashi, Goca e babit e Speci i kuq djegës
Vendimi i Francës për të ndaluar publikimin e exit poll-ve përpara mbylljes së të gjitha qendrave të votimit presidencial ka provokuar në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook barsoleta, mesazhe të kriptuara dhe kode si ato të kohës së Luftës II Botërore nëpërmjet komunikimeve në radio. Holanda-Hungaria kualifikohen për kthimin, thuhej në një mesazh ku luhej me emrin e sfiduesit socialist Fransua Holande dhe origjinës së babait të Nikolas Sarkozi. Një ligj i vitit 1977 ndalon publikimin e rezultateve deri në mbylljen përfundimtare të votimit, ndalon projeksionet, si dhe exit poll-et. Sipas Reuters, ky vendim, në një kohë teknologjie të lartë dhe lirie shprehjeje, po duket qesharak dhe shumë njerëz po përdorin mesazhe si ato të vitit 1940, si ato të transmetuara nga Franca e Lirë në Radio Londra për Luftëtarët e Lirisë gjatë Luftës II Botërore. Përdoruesit e Twitter kanë luajtur gjatë gjithë ditës me emrat e kandidatëve, me tituj imagjinarë gazetash të së nesërmes dhe me rezultate të paverifikuara të votimit

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›