E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta "vergine" në qeli Hajri Elezaj

TIRANE-  Gjykata e Lartë i tha "jo" kërkesës për liri të biznesmenit Hajri Elezaj, i akuzuar si përgjegjësi kryesor i skandalit të naftës "virgine". Vendimi u dha dje nga një kolegj penal me kryesues dhe njëkohësisht relator gjykatësin Gani Dizdari.

Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, kolegji vendosi të mos ndryshojë vendimet e dhëna nga gjykata më të ulëta, që kishin caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj biznesmenit të kompanisë "Euroil" sha.

Për gjykatën edhe gjendja e rënduar shëndetësore të Elezajt, nuk përbënte shkak për lirimin e tij. Biznesmeni ndodhet në spitalin civil për kurim dhe duket se sapo të rimarrë veten do të rikthehet në qeli, pasi tentativa e tij për të lënë burgun dështoi.

Njësia e specializuar task-forcë po vijon hetimet dhe nuk do të jetë e largët dita kur Hajri Elezaj të dërgohet në gjykatë si i pandehur për kontrabandën e naftës "virgine", skandal që u denoncua nga ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti.

Skandali i kontrabandës së naftës "virgine", u denoncua nga ish-ministri i Energjetikës Prifti. Pas hetimeve të prokurorisë rezultoi se përgjatë viteve 2007-2009 në kundërshtim me ligjin nafta "virgine" ishte shitur në tregun vendas edhe pse ishte produkt i destinuar për eksport. Ndërkohë, dy ditë më parë, gjykata e Tiranës u "dhuroi" lirinë gjashtë shoferëve, të cilët dyshoheshin për implikim në kontrabandë nafte. Gjykatësja Blerina Muça, firmosi dje për ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në atë të detyrimit të paraqitjes, ndaj të pandehurve, Vladimir Koteci, Kadri Hajdëri, Reshat Aleksi, Flamur Merkaj, Genci Prençe dhe Fadil Abdurrahmani.
(s.g/GSH/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›