Gjirokastër, 25% më shumë turistë se vitin e kaluar
Vlerat arkitektonike, historike dhe trashëgimia kulturore e qytetit të Gjirokastrës vazhdojnë të tërheqin gjithmonë e më shumë grupe vizitorësh vendas dhe të huaj. Gjatë këtyre ditëve numri i vizitorëve që mbërrijnë në Gjirokastrën e UNESCO-s ka qenë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Gjatë periudhës mars-prill 2008 numri i turistëve vendas dhe të huaj që kanë vizituar qytetin e gurtë ka qenë 25% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thonë burime në Zyrën e Informimit Turistik në Gjirokastër. Gjatë sezonit turistik të vitit të kaluar qyteti i gurtë u vizitua nga rreth 6 mijë vizitorë ndërkohë që këtë sezon numri i grupeve turistikë vendas dhe të huaj që mbërrijnë në Gjirokastër pritet të jetë më i lartë. “Për të rritur nivelin e informacionit dhe shërbimeve karshi grupeve turistike këtë vit ne kemi sjellë elementë të rinj në këtë drejtim”, thotë Enkelejda Roze, koordinatore e zyrës së informimit turistik. Sipas saj shërbimi postar është mundësia e re që do t`iu krijohet turistëve në ZIT, si dhe shtimi dhe pasurimi i dokumentacionit ekzistues që u ofrohet vizitorëve me artikuj të tjerë ( fletëpalosje të tjera, libra artistikë të Kadaresë etj). Ndërkohë për të promovuar Gjirokastrën turistike Zyra e Informimit Turistik ka realizuar dhe vendosur vitrina të veçanta me informacione për qytetin e gurtë në doganën e Kakavijës, Parkun Kombëtar të Butrintit dhe aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.