E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta virxhin, arrestohet i pandehuri i 16-të

Gazmend Serjanaj nga Mbrostari i Fierit ishte shpallur në kërkim, pas operacionit për mashtrimin me naftën. U arrestua nga agjentët e Tiranës

Policia e Tiranës ka arrestuar të akuzuarin e 16-të të dosjes së mashtrimit me naftës virxhin, i cili ishte shpallur në kërkim që në momentin e nisjes së operacionit. Seksioni Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar arrestoi Gazmend Serjanajn, 40 vjeç, nga Mbrostari i Fierit. Ndaj tij Gjykata e Tiranës kishte vendosur më datën 6 mars 2011 masën së sigurimit “arrest në burg”. Serjanaj ka qenë një ndër shoferët e autoboteve të përfshirë në kontrabandën e naftës virxhin. Plot 16 të pandehur, mes të cilëve edhe tre zyrtarë, janë akuzuar nga prokuroria si pjesë e skemës së mashtrimit me naftën virxhin. Dy biznesmenët e njohur, Hajri Elezaj dhe Iljas Fisheku, punonjësit e kompanisë “Fisheku” dhe kompania “Euroil” në pronësi të Elezajt, sipas prokurorisë, janë organizatorët e mashtrimit që u ka sjellë miliona euro përfitim. Të pandehur për skandalin e naftës virxhin janë marrë edhe tre zyrtarë, punonjës të tatimeve, doganave dhe antikontrabandës. Dosja voluminoze me 16 të pandehur tashmë i është përcjellë Gjykatës së Tiranës, e cila do të shqyrtojë akuzat që Task-Forcë ka ngritur ndaj personave të përshirë në skemën e mashtrimit të denoncuar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Hetimet kanë zbardhur rolin e secilit prej të pandehurve, duke filluar nga Hajri Elezaj, të cilit i rëndon edhe akuza e largimit nga vendi i qëndrimit. Në dosjen hetimore prokuroria thotë se janë zbuluar tri fatura eksporti, nëpërmjet të cilave është zbardhur gjithë pjesa tjetër e çështjes, duke nxjerrë kështu në dritë supermashtrimin. Më tej akuza ka zbardhur edhe rolin e punonjësve të kompanisë “Fisheku”, përfshi drejtuesit e boteve apo edhe punonjës të tjerë. “Në Ballsh, shoferët kanë kontaktuar me shtetasin Bledar Rama, i cili vepronte për llogari të firmës ‘Euroil’. Këta shoferë, të pyetur me cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime, kanë pranuar se transportonin naftë virxhin nga Ballshi për në depozitat e Golemit. H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›