Naftëtarët e Marinzës nisin grevën e urisë, vijon protesta e punonjësve të minierës së Spaçit

Përshkallëzohet protesta e naftëtarëve të Fushë Marinzës. Dhjetë anëtarë të Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të Sindikatës kanë nisur një grevë urie pasi sipas tyre nuk u dëgjuan nga kompania, edhe pse këto kërkesa janë parashtruar që në muajin maj të këtij viti.
“Kemi kërkuar rritjen e fondit të pagave me 18% dhe kjo shtesë të shpërndahet për pagat e ulëta. Me qëllim marrjen e të gjithë punëtorëve të pagave dinjitoze dhe uljen e diferencës me pagat e ulëta”, u shpreh Dritan Shahu, Kryetar i Sindikatës së Hidrokarbureve.
Nga ana e saj, përmes një deklarate zyrtare kompania sqaron se në tri vitet e fundit ka pasur rishikime e rritje të vazhdueshme të pagave, ndërsa kërkesat e parashtruara nga sindikata në takimin e datës 13 tetor nuk janë të parashikuara në asnjë ligj.
Kërkesat e saj kryesore ishin: rritje page prej 9% për punonjësit me paga të ulëta, bazuar në një listë individësh të përcaktuar më parë nga vetë Sindikata, alokimi i 1% të fondit total të pagave të kompanisë për krijimin e një fondi për Sindikatën.
Edhe punonjësit e nëntokës të minierës së Spaçit në Mirditë, vijojnë protestën e tyre edhe këtë të mërkurë. Që prej orëve të para të mëngjesit ata janë mbledhur në hyrjen kryesore të kompanisë, duke kërkuar që të merren parasysh kërkesat e tyre për kushte më të mira pune, paga më të larta dhe nënshkrimin e kontratës kolektive me sindikatën e krijuar prej tyre.
Ndërkohë që ka shtim të forcave policore, por nuk janë regjistruar incidente. Nga ana tjetër deri tani nuk ka pasur dialog mes palëve, pasi kompania pretendon se sindikata që ata i përfaqëson nuk plotëson kriteret ligjore.
/rtsh.al/