BE vlerëson punën e SPAK, Dumani ftohet në Bruksel për të paraqitur arritjet

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ka zhvilluar sot një takim me drejtoreshën e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Valentina Superti. Takimi, i bërë publik nga Delegacioni i BE-së në Tiranë, u fokusua te puna e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Delegacioni i BE-së e cilësoi diskutimin si “shumë të frytshëm” dhe konfirmoi se zoti Dumani pritet të vizitojë së shpejti Brukselin.
Ftesa në Bruksel dhe vlerësimi për mandatin
Në Bruksel, Kryeprokurori i Posaçëm Dumani do të ketë rastin të prezantojë arritjet e SPAK-ut gjatë mandatit të tij, të cilat BE i konsideron si “një kontribut i madh në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, si edhe në përparimin e vendit në rrugën e anëtarësimit në BE.”
Ky takim vjen në një moment, teksa mandati i Altin Dumanit po shkon drejt fundit. Në njoftimin e saj, Valentina Superti theksoi rëndësinë që kjo punë thelbësore të mos ndalet.
“Kjo punë thelbësore duhet të vijojë me të njëjtën vendosmëri dhe forcë edhe nën Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, përzgjedhjen dhe emërimin e të cilit do të vazhdojmë ta ndjekim nga afër,” thuhet në deklaratën e Delegacionit të BE-së, duke sinjalizuar vëmendjen e Brukselit për procesin e emërimit të pasardhësit të Dumanit.
/rtsh.al/