Petrit Syla garanton pukjanët: Vitin tjetër jemi ne të parën
Presidenti i Tërbunit flet për merkaton dhe për objektivat e ekipit, duke mos e vënë në diskutim suksesin
Nga Riza Tafilaku
Prej disa ditësh, presidenti i Tërbunit, Petrit Syla, ndodhet me pushime në plazhin e Shëngjinit. Por, pushime për të do të thotë vetëm disa orë pranë familjes, sepse çdo ditë ai shkon për të parë ekipin e Tërbunit, duke ndjekur ecurinë e tij në përgatitjet për kampionatin e ri, bashkë me trajnerin Dali Farruku. Presidenti Syla nuk po kursehet në merkato, sepse kërkon ta kthejë ekipin pukjan në kategorinë e parë me çdo kosto. Pikërisht, nga koha e qëndrimit në Shëngjin, presidenti i pukjanëve dha disa mendime për të ardhmen e Tërbunit.
Z. Syla, jeni kthyer pas disa vitesh në krye të Tërbunit, ndërkohë që ky ekip ndodhet tashmë në kategorinë e dytë. Pse vendosët të investoni përsëri për futbollin pukjan?
Duke parë se ekipi pukjan ra në kategorinë e dytë, ndoshta padrejtësisht, e ndieva si detyrim karshi bashkëqytetarëve të mi që të kthehem dhe të investoj për Tërbunin. Dhe i premtoj tifozërisë së zjarrtë pukjane se e ardhmja e Tërbunit nuk është në kategorinë e dytë, por më lart.
Me çfarë objektivi do ta nisë Tërbuni sezonin e ri?
E theksova edhe më lart se Pukës nuk i takon që ta ketë ekipin në kategorinë e dytë, kështu që kemi vetëm një objektiv: ngjitjen në kategorinë e parë. Kam bindjen se do ta arrijmë këtë objektiv dhe për këtë kam parasysh disa argumente, siç janë interesimi i tifozërisë pukjane, besimi që kam te bashkia e qytetit dhe kryetari i saj z.Beqir Arifi si dhe te shumë biznesmenë pukjanë, të cilët janë afruar dhe vazhdojnë ti afrohen ekipit.
Ju po bëni një merkato te fuqishme, duke marrë futbollistë të njohur. Cilat janë blerjet zyrtare të Tërbunit?
Ka më shumë se një muaj që kemi formuar ekipin nën drejtimin e trajnerit Dali Farruku. Mund të them se janë nënshkruar kontratat me futbollistët Udeke, Çobaj, Pepa, Fuçia, Shahini dhe disa të tjerë. Kemi zhvilluar edhe takimin e parë miqësor ditën e shtunë me Turbinën, ku kemi fituar 3-1. Trajneri Farruku i ka provuar të gjithë lojtarët.
A mund të quhet e mbyllur merkartoja?
Jo, nuk e kemi mbyllur ende merkaton. Duhet të them se brenda pak ditësh do të nënshkruhen kontratat edhe me 3-4 futbollistë, të cilët kanë luajtur në superligë dhe sezonin e ri do të mbajnë fanellën e Tërbunit.
Janë përmendur edhe emrat e portierit Mustafa, Dalipit e ndonjë tjetri
E thashë edhe më lart se Tërbuni vazhdon të jetë në merkato. Do të ketë surpriza, që do të zbulohen ditët në vijim. E ritheksoj se Tërbuni do të jetë në kategorinë e parë pas një viti.
A ka filluar sponsorizimi nga 17 biznesmenët pukjanë, sikurse flitet, dhe a janë të garantuara financat te Tërbuni?
(Qesh)…Biznesmenët pukjanë janë të sigurt, financat janë të garantuara.
1 herë më parë ka qenë Syla në krye të Tërbunit, pikërisht kur ky ekip ngjitej nga kategoria e dytë në të parën
2 sezone ka qenë ekipi pukjan pjesë e kategorisë së pare vitet e fundit