E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia sulmon "gjenocidin" në Kinë

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan e përkufizoi dje dhunën etnike në provincën Ksinxhang të Kinës me termin gjenocid. "Nuk ka mënyrë tjetër për ta përshkruar atë ngjarje", tha numri një i qeverisë turke pas rivendosjes së gjendjes së shtetrrethimit në Urumki, kryeqytetin e provincës Ksinxhang, ku popullsia myslimane e etnisë uigure po përplaset me banorët kinezë të etnisë han që të dielën e shkuar. Sipas raporteve të agjencisë kineze të lajmeve "Xinhua", numri i viktimave të dhunës është rritur nga 156 në 184, ndërkohë që po sipas saj, numri i të plagosurve është më shumë se njëmijë.

Turqia, vend ku pjesa dërrmuese e popullsisë i përket besimit mysliman, ndan lidhje të njëjta besimi dhe gjuhe me uigurët që banojnë në pjesën perëndimore të Kinës. "Ngjarjet që po zhvillohen në Kinë janë një lloj gjenocidi", tha përpara reporterëve Kryeministri Rexhep Taip Erdogan gjatë një konference për shtyp. "Aty kanë ndodhur krime të rënda, qindra njerëz janë vrarë dhe 1 mijë janë plagosur. E kemi të vështirë të besojmë se si qeveria kineze luan rolin e spektatorit përballë ngjarjesh të tilla". Kryeministri turk, gjatë konferencës, i kërkoi gjithashtu Pekinit "të mbajë parasysh mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të bëjë gjithçka duhet për të dënuar fajtorët".

Këto qëndrime u mbajtën nga kreu i qeverisë vetëm një ditë pasi ministri turk i Tregtisë dhe Industrisë, Nihat Ergun, i nxiti bashkëqytetarët e tij të bojkotonin produktet kineze që tregtohen në vend. Pekini nuk u përfshi në polemika me Kryeministrin turk, por vërejti se ndër 184 të vrarët, 137 janë kinezë të etnisë han.

Një ditë përpara deklaratave të Kryeministrit Erdogan, autoritetet kineze kishin rikthyer gjendjen e shtetrrethimit në qytetin Urumki, i cili qe hequr për dy ditë pasi forcat e rendit kishin deklaruar se e kishin gjendjen nën kontroll. Të premten u urdhërua që xhamitë të mbeteshin të mbyllura dhe banorët u këshilluan përmes njoftimeve të ndryshme t‘i kryenin ritet fetare nëpër shtëpi. Por mësohet se të paktën dy xhami u hapën për t‘u dhënë besimtarëve mundësinë të kryenin ritualet fetare, pasi turma uigurësh u grumbulluan para tyre dhe kërkuan të faleshin gjatë ditës më të shenjtë të javës për fenë islamike. "Vendosëm ta hapnim xhaminë, sepse qenë grumbulluar shumë njerëz. Nuk donim të krijonim asnjë incident", tha për "Associated Press" një polic përpara Xhamisë së Bardhë, e cila gjendet në një lagje të banuar nga uigurë. Pas lutjeve, forcat policore të ndërhyrjes së shpejtë shpërndanë me forcë një grup të vogël protestuesish uigurë, të cilët kërkonin lirimin e bashkëpatriotëve të tyre të arrestuar pas dhunës së të dielës së shkuar.

Ndërkaq, raportohet se stacioni kryesor i autobusëve të qytetit është i mbushur plot e përplot nga banorë që kërkojnë të largohen e të shpëtojnë familjet nga trazirat. Sipas raporteve të agjencive të huaja, mësohet se në dispozicion të tyre janë vënë autobusë shtesë, por se pronarët e tyre u kërkojnë udhëtarëve pagesa që janë deri pesë herë më të shtrenjta nga çmimet normale. "Është shumë e rrezikshme të qëndrosh këtu. Na ka hyrë frika nga dhuna", tha një punonjës ndërtimi nga Kina Qendrore.

Përplasjet e dhunshme nisën të dielën e shkuar, kur një protestë e organizuar nga uigurët - për shkak të një zënke mes banorëve të dy etnive që përfundoi me viktima - degjeneroi në dhunë. Tensionet mes dy etnive janë rritur vit pas viti, ndërsa në provincë, e populluar kryesisht nga uigurët, është shtuar numri i emigrantëve të etnisë han. Shumë uigurë mendojnë se diskriminohen dhe nuk u jepen shanse të barabarta me ato të kinezëve të tjerë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›