E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nakasone: Koreja e Veriut të mos bëjë prova raketore

Tokio- Ministri japonez i Punëve të Jashtme, Hirofumi Nakasone i ka kërkuar Koresë së Veriut të mos pranonte kryerjen e një testi për raketat duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim me Pekinin për t'i dhënë fund ambicieve bërthamore koreanoveriore."Aktualisht, tensioni në rajon është rritur për shkak të kryerjes së testimit të një rakete nga DPRK (Koreja e Veriut)", deklaroi Nakasone, në një komunikatë në përfundim të bisedimeve me kryeministrin kinez, Wen Jiabao në Pekin.

"Do të doja t'i kërkoja Koresë së Veriut vetpërmbajtje dhe të mos shkaktojë tensione dhe ankth në rajon''-shtoi Nakason. Për Japoninë, hedhja e raketës do të binte në kundërshtim me rezolutën 1718 të Kombeve të Bashkuara të 2006 që specifikon se ''Koreja e Veriut duhet të evitojë të gjitha provat bërthamore ose hedhjen e raketave balistike''.

Sipas agjencisë koreanojugore të lajmeve ''Yonhap'', hedhja e kësaj rakete mund të bëhet në fund të marsit ose në fillim të prillit, ndërkohë që është parashikuar që nga 9-20 mars të zhvillohen manovra ushtarake mes ushtrisë amerikane dhe asaj koreanojugore. Sipas një zyrtari të Ministrisë japoneze të Punëve të Jashtme, gjatë bisedimeve mes Nakasone, Wen dhe ministrit kinez të Punëve të Jashtme Yang Jiechi, të dy palët u bindën se mënyra më e mirë për zgjidhjen e çështjes së armëve bërthamore koreanoveriore, do të ishin diskutimet mes gjashtë vendeve, dy Koretë, SHBA, Japonia, Kina dhe Rusia.

Regjimi komunist koreanoverior njoftoi të martën se ''ishte i gatshëm të lëshonte një raketë duke rënë në kundërshtim me paralajmërimet e Seulit dhe Uashingtonit që dyshojnë për hedhjen e një rakete me rreze të gjatë veprimi''.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›