E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet lokale ne Kosove, Sejdiu nis konsultimet



Blerina olldashi
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të zhvillohen në vjeshtë, megjithatë nuk ka një datë të saktë lidhur me këtë çështje. Presidenti Fatmir Sejdiu filloi dje konsultimet me të gjitha partitë, për të caktuar datën por duket se bisedimet do të vazhdojnë në ditët në vazhdim. Sipas Sejdiut shumë shpejt të gjitha partitë veç e veç do të thërriten në takime të ndara për të propozuar në fund datën përfundimtare. “Disa prej partive japin idenë që zgjedhjet të mbahen në muajin tetor. Mendoj se kjo ide duhet rishikuar. Unë nuk kam një datë fikse dhe për këtë arsye do të vazhdoj konsultat e veçanta me secilën parti politike gjatë ditëve në vijim. Tre-katër ditë mund të jetë afati i konsultave të tyre të brendshme për të marrë qëndrimet në kuadër të partive dhe për të shprehur qëndrimin. Pas konsultave të veçanta me secilën prej tyre, do të kemi edhe një konsultë të përbashkët, finale, e cila do të pasojë pas këtyre bisedimeve. Në fund do të marr dhe natyrisht në fund të marrë vendimin se cila do të jetë data më e përshtatshme për zgjedhje”, tha Sejdiu.
Ndërkohë, partitë pjesëmarrëse në këtë takim thanë se ka një ide të përgjithshme që zgjedhjet të mbahen në afatin ligjor. Përfaqësuesi i AAK-së në këtë takim, Burim Ramadani tha se shqetësimet e opozitës kishin të bënin edhe me disa probleme që sipas tij, kishin karakterizuar përgatitjen e zgjedhjeve. “AAK-ja ka prezantuar datën 25 tetor. Është e diela e fundit e tetorit dhe arsyet kryesisht kanë të bëjnë çështjen atmosferike. Ka mundësi që në disa komuna të ketë balotazh dhe nëse zgjedhjet do të zhvillohen në nëntor, do të kishte probleme lidhur me pjesëmarrjen”,- theksoi Ramadani. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të disa partive politike serbe dhe komuniteteve të tjera. Sidoqoftë, mbeten edhe disa parti serbe të cilat nuk shprehin ndonjë interesim për pjesëmarrje në zgjedhje. Por, presidenti Sejdiu u bëri ftesë si subjekteve politike ashtu edhe votuesve serbë që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe rrjedhimisht edhe të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e interesave të komunitetit. Ndërsa zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të mbahen në fund të këtij viti dhe do të jenë të parat në Kosovën e pavarur, zgjedhjet parlamentare janë paralajmëruar për fundin e vitit 2011. Vendimi që këto zgjedhje të mos mbahen sivjet është marrë nga presidenti.

Zjarr në selinë e Komisionit Europian në Bruksel, akti jokriminal

Një zjarr përfshiu dje selinë e Komisionit Europian në Bruksel që shpërtheu nga bodrumi i zyrave qëndrore të ndërtesës. Qindra punonjës u detyruan të evakuonin ndërtesën, ndërsa re të zeza tymi dolën nga çatia. Dhjetra zjarrfikëse dhe ambulanca mbërritën në vendngjarje. Megjithatë asnjë person nuk u plagos nga ky zjarr, pavarësisht dëmeve të mëdha u shkaktuan. Si pasojë e zjarrit godina e Komisioni Europian do të qëndrojë e mbyllur edhe ditën e sotme. Gazetarët në vendngjarje treguan se nuk pati alarm zjarri, ndërkohë që mediat u urdhëruan të dilnin nga godina. Tymi ka dalë në tarracë nëpërmjet sistemit të ventilimit, gjë që shpjegon dhe faktin se zjarri nuk ka përfshirë katet e sipërme. Ndërkohë sipas policisë së Brukselit, shkaku mendohet se është i rastësishëm dhe jo akt kriminal. Sidoqoftë hetimi do të vazhdojë. Ndërtesa prej xhami, e njohur si Berlejmont, ka 18 kate dhe shumë zyra dhe në të punojnë rreth 3 000 zyrtarë të Bashkimit Europian.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›