E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patrulla e Përgjithshme, 41 aplikantë fituan në Elbasan e Korçë



Tiranë – Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri të ditur dje se kanë përfunduar testimet me shkrim i kandidatëve që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë. “Në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ditën e sotme u zhvillua testimi me shkrim i kandidatëve nga qarqet Elbasan dhe Korçë, që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”. Këtij testimi ju nënshtruan 100 aplikantë nga këto qarqe dhe në përfundim të konkurrimit të ditës së sotme u shpallën fitues të testimit me shkrim 41 aplikantë, të cilët arritën të grumbullonin mbi 60 pikë”, -thuhej në deklaratën e Policisë së Shtetit. Korrigjimi i testimit u realizua me skaner dhe kandidatët u njohën me rezultatin brenda ditës. Kandidatët e shpallur fitues të testimit me shkrim do t’i nënshtrohen fazave të mëtejshme të konkurrimit. Aplikantët që rezultuan fitues të testimit me shkrim të zhvilluar sot, do t’i nënshtrohen testimit fizik me datën 19 maj 2009, në orën 08:00 në Stadiumin e qytetit të Elbasanit. Aplikantët duhet të paraqiten në ditën dhe orën e përcaktuar për testimin fizik të veshur me uniformë sportive. “Të gjithë aplikantët për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces mund të drejtohen pranë Zyrave të Personelit në Drejtoritë e Policisë në Qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Për gjithë të interesuarit bëjmë me dije se procesi i aplikimeve për të ndjekur studimet pranë Shkollës së Policisë është i hapur gjatë gjithë vitit”, -përfundoi deklaratën Policia e Shtetit.

Kapet autori i dytë i ngjarjes që shkaktoi një të plagosur me hematoma të tru

Durrës – Forcat e policisë së Durrësit mundësuan kapjen e autorit të dytë të ngjarjes së rëndë, e cila shkaktoi një të plagosur rëndë me hematoma në tru, gjatë një konflikti për motive të dobëta pranë një lokali. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, ai është Mustafa Korra, 19 vjeç, banues në lagjen nr. 18 të Durrësit, me arsim 8-të klasë, ndërsa i dëmtuari nga kjo ngjarje ka qenë Gëzim Dauti, banues po në këtë lagje. Pasi është mjekuar, ai edhe pse ka dalë nga spitali, ka ndjerë shqetësime në kokë si pasojë e goditjeve të marra dhe për këtë arsye është shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë për jetën.

Ushtroi korrupsion, policia i konverton dënimin 500 mijë lekë, në 100 ditë burg

Durrës – Forcat e policisë kanë ndaluar 40-vjeçarin Ajet Murati, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, pasi ndaj tij rëndon akuza e ushtrimit të korrupsionit pasiv. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, ndalimi tij u bë për arsye se me vendimin e një muaji më parë, gjykata e Durrësit e ka konvertuar dënimin penal me 500 mijë lekë me 100 ditë burgim për veprën penale të “Korrupsionit pasiv për persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 Kodit Penal. Me shkresën nr. 5524 të datës 11 maj 2009, ky person ishte shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit.

Kapet autori i vjedhjes së lokal “Pica Romeo” në qytetin e Korçës

Korçë – Forcat e policisë së Korçës kanë mundur të kapin në flagrancë personin, i cili dyshohej të ishte autor për vjedhjen e një lokali në Korçë. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, fjala është për 22-vjeçarin Daniel Isak, banues i këtij qyteti, për të cilin policia pohon se është i dyshuar për vjedhjen e lokal “Pica Romeo” në qytetin e Korçës, ndodhur dy ditë më parë. Bëhet e ditur se ndaj këtij personi, gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›