E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhjet në kryeqytet, në ditë policia merr 15 denoncime



Tiranë – Kryeqyteti ka numër rekord vjedhjesh, aq sa pa llogaritur vjedhjet e padenoncuara në polici, çdo ditë në Tiranë kallëzohen mesatarisht 15 të tilla. Të denoncuara në polici janë kryesisht vjedhjet e bizneseve, shtëpive, të automjeteve deri tek rrëmbimet në rrugë të çantave, portofolave apo bizhuterive. E ndodhur para kësaj situata policia e Tiranës ndryshon funksionimin e zyrës së vjedhjeve duke e përhapur në të gjithë Tiranën. Të mësuar tashme me idenë se në autobus të vjedhin, në të gjithë ruajmë nga xhepistët objektet personale sa herë që udhëtojmë me mjet të transportit publik. Por përveç kësaj rutine muajt e fundit policia e kryeqytetit është vënë në alarm për numrin në rritje të vjedhjeve kundër pronës dhe pasurisë. Zyrat qendrore të grabitjeve me dhunë, vjedhjes kundër pasurisë dhe vjedhje të tjera prej katër ditësh janë shpërndarë duke krijuar struktura në të gjithë komisariatet. Burimet shtojnë se 3-4 vjedhje banesash regjistrohen në ditë të zakonshme, ndërsa shpesh edhe 10 krime të tilla në ditë. Pas banesave vijnë vjedhjet e pasurisë së bizneseve në zonat tregtare për të cilat shënohen mesatarisht 2-4 në ditë. Automjetet renditen me 2-3 vjedhje kryesisht bensa deri edhe pasqyra makinash apo edhe portofola dhe bizhuteri. Për këto të fundit policia shton se vjedhjet kryhen ndaj grave dhe të moshuarave, zakonisht në prag mbrëmje apo vendet pa ndriçim. Burimet raportojnë se zonat më problematike janë 21 Dhjetori, Kombinati, Kinostudio, zona e Selvisë, Tirana e Re, blloku “Vasil Shanto”, Lapraka dhe Alliasi. Përveç ndryshimit të strukturës në faqen zyrtare të policisë së Tiranës jepen këshilla se si qytetarët të ruajnë banesat nga hajdutët.
Qytetaret sipas policisë nuk duhet të mbajnë shuma të mëdha parash dhe objekte me vlerë të lartë në shtëpi, të lënë dritat ndezur edhe kur nuk ka njeri në shtëpi, nëse humbisni çelësin duhet të ndërroni bravën, mos i tregoni askujt jashtë familjes se çfarë vlere kanë objektet në shtëpinë tuaj dhe mbi të gjitha në rast rreziku qytetarët duhet të telefonojnë në polici.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›